KËRKOHET SHTIMI I NUMRIT TË LOJTARËVE TË HUAJ, QËNDRIME TË NDRYSHME NGA FBK DHE KLUBET
Prishtinë(AsistiOnline) – Mungesa e lojtarëve kualitativ vendorë ka ndikuar që klubet elitare të kërkojnë alternativa shtesë.
Si një prej opsioneve së fundmi po shihet shtimi i numrit të lojtarëve të huaj në lojë, nga tre sa janë aktualisht në katër. Arsyetimi është se vendorët i kanë rritur çmimet në mënyrë të pakontrolluar dhe në shpërputhje me realitetin.
Një kërkesë e tillë mësohet se ka shkuar për diskutim edhe në zyret e FBK-së, derisa AsistiOnline.com ka kërkuar një përgjigjje për këtë çështje nga kreu i FBK-së, Arben Fetahu.
“Dje kam pasur një takim të gjatë dhe gjithëpërfshirës për të diskutuar zhvillimet dhe risitë e garës së edicionit të ardhshëm me përfaqësuesit e të gjithë klubeve të Superligës dhe mund ta konfirmoj se kërkesa për shtimin e numrit të lojtarëve të huaj nuk ka pasur përkrahje nga shumica e tyre, gjë që është në linjë me qëndrimin e FBK-së, që shtimi i lojtarëve të huaj në parket përtej nivelit aktual, do të ishte kundërproduktiv për avancimin e basketbollit tonë. Eshtë e vërtetë se numri i limituar i lojtarëve vendorë ka rezultuar, këtë vit me ngritje të kostove të klubeve për pagat e tyre, por profesionalizimi i klubeve dhe lojtarëve tanë është prioritet i FBK-së, për shkak se ky profesionalizëm duhet të shërbejë si motivim shtesë për basketbollistët e së ardhmes. Në një moment kur pothuajse të gjithë lojtarët e përfaqësueses luajnë në Kosovë, FBK do të bëjë gjithçka që është në duart e saj për të mbrojtur basketbollistët kosovarë dhe aktivizimin e tyre sa më të madh në Superligë. Lojtarët zhvillohen e kaliten në ndeshje të forta, prandaj ne duhet t’u japim mundësi sa më të madhe lojtarëve tanë për të qenë protagonistë në edicionin e ardhshëm i cili pritet të jetë vërtetë i zjarrtë, duke qenë që të gjitha ekipet e Superligës por edhe qytetet nga të cilat ato vijnë kane filluar të mobilizohen dhe vërehet nje entuziasëm i paparë për garën që na pret”, u shpreh numri një i FBK-së.
AsistiOnline.com lidhur me këtë kërkesë, ka kontaktuar edhe drejtuesit e klubeve për të kuptuar se cili është qëndrimi i tyre.
Nga klubi i Bashkimit nëpërmjet adresës elektronike kanë kthyer këtë përgjigjje.
”Ne jemi pro kësaj kërkese drejtuar FBK-së, mendojmë që duhet të rritet konkurenca nëpër klube dhe jo lojtari vendor të mendoj se e ka vendin e sigurtë në ekip, pa punuar dhe stërvitur, madje kjo po ndikon edhe në pagat e lojtarëve. Pse ti mohohet lojtarit të huaj të vije dhe të luajë, kjo duhet të jetë çështje demokratike dhe e pa imponuar, fundja në të gjithë botën, ka numër të madh të lojtarëve të huaj dhe të gjithë luajnë në bazë të meritave dhe kualitetit që posedojnë, mendojmë që pikërisht konkurenca e sjellë edhe cilësinë. Mbi të gjitha me këto veprime, Federata po e stërngarkon buxhetin e klubeve dhe po na bllokon me çmimet astonomike të lojtarëve vendorë”, shprehen nga klubi i Bashkimit.
Mendim të njejtë sikurse klubi i Bashkimit, kanë edhe nga skuadra më e trofeshme kosovare, Prishtina. Kreu i klubit kryeqytetas, Burim Maraj e ka sqaruar gjerë e gjatë se pse klubi i tij, është pro kësaj nisme.
”Në mënyrë që lojtarët vendorë të zhvillohen, ne besojmë që atyre nuk duhet të ju garantohet vendi për të luajtur, por duhet ta meritojnë me punë dhe përkushtim. Trajneri duhet t’i përfshijë në lojë në baze të nevojës dhe kualitetit e jo në bazë të rregullit. Kjo besojmë që do të i sjellte të mira edhe përfaqësueses tonë, e poashtu edhe vetë lojës se basketbollit – trajneri merr vendime më të shpejta dhe më të lehta. Në pothuajse asnjë vend nuk kanë funksionuar rregullat e njejta, po besoj që as tek ne nuk kemi parë ndonjë ndryshim pozitiv. Unë mendoj që klubet duhet bërë ç’mos që të ngrisin nivelin e punës me grupmoshat e reja dhe të punohet shumë më shumë në aspektin profesional me trajnerë të rinj.
Rregulla që të luash me U20 per 20 minuta, poashtu nuk ka sjellë ndonjë rezultat, e poashtu tre lojtarë U18 në roster s’po besoj që ka pasur ndonje efekt pozitiv. Rregullat tona duhet me qene në përputhje me FIBA-n ose me vendet ku basketbolli ka zhvillim.
Po ju përmend një fakt nga manuali i FIBA-s: Spanja ka më së shumti lojtarë vendorë (70.2%), por e ka edhe mesataren më të ulët të minutazhit për lojë të lojtarëve të huaj. E kjo është një indikacion që të shërben si porosi, se lojtarët tanë vendorë duhet të punojnë më shumë për ti merituar minutat. Gjermania e ka 56.9%, Franca 54% etj, Edhe një fakt tjetër, shumica e vendeve si psh, Spanja, imponon 4 lojtarë vendorë në roster të 10-12, ose 3 vendorë me roster 8-9, të tjeret të huaj. Gjermania 6 të huaj, Israeli, 8 të huaj gjatë sezonit, 5 në roster e 4 në parket. Turqia poashtu ka evoluar në këtë aspekt, 10 të huaj në roster, 5 në listën zyrtare, 5 në parket, Belgjika 6 lojtarë vendorë, Italia 50%, Polonia në EuroCup lejon 6 me 6, për ligë vendore 5 të huaj dhe 7 vendorë”, mbyll sqarimin Maraj se pse po kërkon pesë të huaj, ekipi i Prishtinës.
Në anën tjetër, kundërshtari lokal i Bashkimit, Ponte Prizreni ka shprehur një qëndrim më neutral karshi kësaj çështje aktuale në basketbollin e Kosovës.
”Nuk është kompetencë e jona, për këtë duhet drejtuar këshillit profesional, ata e dijnë më së miri se si është situata, ne jemi ata që çdo vendim të FBK-së e miratojmë dhe aplikojmë. Nuk është kompetencë e jona ky vlerësim, për këtë duhet drejtuar këshillit profesional. Ne si klub interes parësor e kemi interesin e komunitetit tonë që është basketbolli. Ekspertët këtë e dijnë më mirë se ne”, thuhet në përgjigjen e klubit prizrenas.
Lidhur me këtë kërkesë, prononcim pati edhe nga skuadra e Trepçës, kryetari i klubit Vullnet Sefaja për AsistiOnline.com u shpreh kundër një iniciative të tillë me arsyetimin se i dëmton lojtarët vendorë.
”KB Trepça edhe në vitin 2021 kur është miratuar nga 3 në 4 të huaj, ka qenë kundër. E edhe sot është kundër. Sepse mendojme qe nuk i sherben gjeneratave te reja. Ne edhe ashtu-kështu si klube t’ju them të drejtën, s’kemi punuar mjaftueshëm me gjeneratat e reja, ndërsa më vonë kjo do të shkaktojë edhe probleme për Kombëtare. Ne si klube mendoj që duhet të fokusohemi në gjenerata të reja të punojmë dhe ti motivojmë në këtë formë dhe jo të rrisim numrin e të huajve”, potencoi Sefaja.
Kundër kësaj nisme janë shprehur edhe nga kampioni aktual i Kosovës, Golden Eagle Ylli. Drejtori i klubit, Egzon Fetiu ka thënë se klubi i tij nuk e përkrah një gjë të tillë.
”Ne, jemi shumë kundër kërkesës për më shum se 4 të huaj. Klubi jonë nuk e mbështet këtë opsion”, tha Fetiu shkurtimisht dhe pa dhënë ndonjë arsyje.
Kundër kësaj ideje janë shprehur edhe nga klubi i sapo-inkuadruar në elitë, Vëllaznimi i Gjakovës.
”Ne si klub nuk e kemi shqyrtuar këtë mundësi, pasi tash vetëm se është vonë për të vendosur për një temë të tillë. Dhe konkretisht, jo, ne si klub nuk e përkrahim këtë ide”, potencoi Ideal Bakija, drejtor sportiv i klubit.
Një përgjigjje zyrtare lidhur me këtë çështje në adresën elektronike të AsistiOnline.com, ka ardhur edhe nga skuadra e Rahovecit, ‘vreshtarët’ po shprehen pro këtij ndryshimi.
”Ne si klub edhe dje në takim me klube, kemi qenë pro këtij ndryshimi, por vazhdojmë të ndajmë mendimin e njejtë se kjo duhet të ndodhë për momentet në të cilat gjendemi”, thuhet në përgjigjjen e tyre.
Disa nga drejtuesit e klubeve që ishin pro shtimit të numrit të huajve dhe folën në kushte anonimiteti për AsistiOnline.com thanë se deri para takimit të parë me FBK-në, shumica e klubeve ishin pro këtij ndryshimi por në tryezë u befasuan kur disa votuan ndryshe nga dakordimi paraprak dhe marrëveshja që ideja e përbashkët do të sillte ndryshime pozitive. Pse disa nga udhëheqësit e klubeve ndryshuan mendim aty për aty, nuk kishin shpjegim.
Çfarë do të ngjanë lidhur me këtë temë interesante mbetet të shihet
Komentet janë të mbyllura.