Prishtina pëson thellë nga Kalev/Cramo dhe eliminohet nga FIBA Europe Cup
Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina e ka mbyllur me humbje të thellë aventurën në kualifikimet për FIBA Europe Cup që në ndeshjen e parë.
Skuadra nga kryeqyteti kosovar u mposht sot thellë nga Kalev/Cramo me rezultat 98-61.
Për të qenë realë, ekipi ynë kosovar vetëm në pjesën e parë (49-39) ishte rival deri diku i ekipit estonez e më pas ata e morën kontrollin e ndeshjes komplet (24-11, 25-11) dhe vazhdimisht thelluan rezultatin deri në fund, duke treguar diferencën e madhe në kualitete por edhe përvojë.
Të mos harrojmë se ekipi i Kalev/Cramos ka një buxhet mbi 5 milionë euro dhe në vitin e kaluar e kishte mposhtur në një ndeshje në VTB League, gjigantin e basketbollit evropian, CSKA Moskën 102-107 dhe kjo më së miri flet për ta.
Te Prishtina në këtë ndeshje sot u dalluan, Jan Palokaj e Derrick Wilson me nga 14 pikë si dhe Dardan Berisha që shtoi 13 sosh.
Te Kalev/Cramo në fitore spikatën, Kristjan Kitsing me 24 pikë e Martin Meiers me 14 sosh.
Prishtina me kaq e mbyll aventurën e sivjetme në FIBA Europe Cup dhe garat evropiane pritet ti vazhdojë në ENBL League.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.