Basketboll

Arben Fetahu flet për problemet në Ligën Unike, tregon nëse projekti do të vazhdojë apo ndërpritet

Prishtinë(AsistiOnline) – Liga Unike e basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë, sivjet është ballafaquar me telashe të shumta.

Duke filluar nga shtyerja e sezonit të ri për dy javë, pastaj mungesa e Teutës në gjysmëfinalet e Superkupës dhe mbajtja e saj vetëm me tri ekipe e deri te anulimi i djeshëm i dy ndeshjeve, Golden Eagle Ylli – Tirana dhe Trepça – Teuta.

Megjithatë, përkundër problemeve që po has ky projekt, numri një i FBK-së, Arben Fetahu në një prononcim për AsistiOnline.com, po insiston se ajo do të vazhdojë dhe të luhet.

”Eshtë qëndrim i prerë i federatave nga dy anët e kufirit dhe i drejtuesve të Ligës Unike që projekti mbarëkombëtar duhet të zhvillohet dhe ngritet më tej, prandaj shpresoj që të gjejmë rrugë sqarimi me të gjitha ekipet pjesëmarrëse këtë stinor dhe të mos kemi nevojë te merremi me plane rezervë. Sidoqoftë, gara për kampionin mbarëkombëtar ka filluar që javën e kaluar dhe mbetet të shihet se a do të garojnë për këtë titull të gjitha katër ekipet nga Shqipëria që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen zyrtarisht, por më shumë për këtë do të kuptojmë besoj ditën e premte, por ajo që mund të konfirmoj, është se Liga Unike do të zhvillohet me të gjitha ekipet që mëtojnë titullin prestigjioz të kampionit mbarëkombëtar, duke i kontribuar kësisoj, afirmimit dhe ngritjes së ndjenjës kombëtare në dy anët e kufirit”, thotë Fetahu.

Liga Unike sivjet po ballafaqohet me shumë probleme. Pas shtyerjes dy javore, tash kemi edhe shtyerje të disa ndeshjeve. Në opinion ka shumë kritika për mos seriozitetin e garës. , Pse po ndodh kjo, Fetahu shprehet: ”Deri te shtyerja e ndeshjeve të planifikuara këtë mesjavë ka ardhe për arsye organizative në anën e ekipeve pjesëmarrëse nga Shqipëria, të cilat shpresojmë t’i sqarojmë pas një takimi të përbashkët që do ta kemi me to këtë të premte. Për hir të sqarimit, një takim të ngjashëm këtë javë e kemi pasur me ekipet pjesëmarrëse nga Kosova, të cilat dua të shfrytëzoj rastin t’i falenderoj edhe publikisht për përkrahjen e parezervë që i kanë dhënë ligës, përkundër shtyrjeve dhe problemeve organizative që ua kanë shkaktuar shtyrjet. Ne kemi punuar shumë në ngritjen e nivelit organizativ dhe konkurrues të kësaj gare, mes tjerash edhe duke i lidhur rezultatet e arritura në të me ato të Superligës tonë, ndërsa e dini edhe vet se sa serioze është gara në Prince Cafe Superligën e Kosovës sivjet, prandaj nuk mund ta lejojmë asnjë klub, që të pengojë mbarëvajtjen e Ligës Unike, çfarëdo qofshin motivet.”

Në pyetjen nëse janë të vërteta shkrimet në mediat e Shqipërisë dhe përfoljet në qarqet e basketbollit matan kufirit se, disa klube nga Shqipëria po e bojkotojnë me qëllim FSHB-në për shkak të marrëdhënieve me kreun e kësaj të fundit Avni Ponarinë dhe me këtë po e rrezikojnë ligën që bashkoi Kosovën dhe Shqipërinë, Fetahu nuk deshi të komentojë një gjë të tillë, porse u shpreh i bindur se projekti i Ligës Unike nuk do të bije pre e individëve dhe klubeve të caktuara.
”Unë nuk mundem dhe nuk dua të komentoj marrëdhëniet që kushdo mund t’i ketë me këdo tjetër, përveç se me mua dhe institucionin që unë e drejtoj, por mund ta konfirmoj që projekti i Ligës Unike, nuk mund të jetë pre dhe kompromitohet nga çfarëdo sentimenti apo qëndrimi që mund ta ketë ndonjë individ apo klub ndaj drejtuesve të federatave apo kujtdo tjetër. Projekti i Ligës Unike dhe interesi që ai ka për basketbollin dhe ndjenjën kombëtare në dy anët e kufirit, duhet të jetë mbi interesat e ngushta dhe afatshkurtër të individëve”, mbylli prononcimin e tij, Fetahu.
Ju rikujtojmë se sot në program është ndeshja Kamza – Peja e cila fillon nga ora 18 dhe zhvillohet në Tiranë ndërsa përballja e dytë e sot, Golden Eagle Ylli – Tirana u anulua.
Nesër në Fier do të takohen Apolonia – Ponte Prizreni nga ora 17 kurse dueli tjetër ku nënkampionia e Kosovës Trepça është dashur të debutoi në Ligë Unike duke u përball me Teutën në Minatori të Mitrovicës, gjithashtu është anuluar.
Çka do të ndodh me edicionin e tretë të këtij projekti i cili jetësoi ëndrrën shekullore të sportit mbarëkombëtar shqiptar duke e bashkuar sportin e Kosovës dhe Shqipërisë, mbetet të shihet pas takimit të paralajmëruar mes krerëve të dy federatave.
/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.