Ylli pëson humbjen e radhës në FIBA Europe Cup
Kampioni i Kosovës, Golden Eagle Ylli ka pësuar humbje nga Niners Chemnitz me rezultat 72:101 (24:24, 13:34, 13:20, 22:23), në ndeshjen e pestë të grupeve në FIBA Europe Cup.
Vetëm çereku i parë i ndeshjes ishte i barabartë, që përfundoi 24:24, por më pas gjermanët ishin më të mirë. Ata në periudhën e dytë ishin bindshëm më të mirë dhe me lojë të shpejtë e gjuajtje të sakta thelluan epërsinë, duke shkuar në pushim me shifrat 37:58.
Mysafirët për një nuancë ishin më të mirë edhe në periodën e tretë, ku nuk lejuan Yllin të afrohet, madje e thelluan edhe më shumë epërsinë, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 50:78. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë formalisht dhe skuadra gjermane triumfoi 72:101.
Te Golden Eagle Ylli u dalluan Malcolm Armstead me 18 pikë dhe Henrik Sirko me 12, kurse te mysafirët më i miri ishte Arnas Velicka me 13 pikë e dhjetë kërcime.
Ylli ka një fitore e katër humbje në grupe, kurse Niners tri fitore e dy humbje.
Ndeshjen e ardhshme dhe të fundit në grupe, therandasit e zhvillojnë ndaj Bamberg, më 30 nëntor në Prizren.
Komentet janë të mbyllura.