Basketboll

Ekskluzive: Penza përforcohet me treshen e Përfaqësueses së Kosovës

Prishtinë(AsistiOnline) – Kampionja aktuale e Kosovës te femrat, Penza duket se nuk e ka në plan të dorëzohet për mbrojtjen e titullit edhe pse nuk e ka nisur mirë këtë edicion.

Sipas asaj që ka mësuar AsistiOnline.com, drejtuesit e skuadrës pejane janë vënë në lëvizje për ta përforcuar skuadrën dhe tashmë kanë gati tri marrëveshje.

Bëhet fjalë për Saranda Dacin, qendrën nga Peja e cila gjatë stinorit vjeshtor u paraqit me Nikshiqin në elitën malazeze si dhe në ABA Ligën e femrave. Gjersa në Kosovë më herët ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin, por edhe Penzën dhe ka fituar gjithë trofetë e mundshëm.

Te Penza pritet që gjatë ditëve në vijim të prezantohen edhe dy lojtaret e Përfaqësueses së Kosovës, Flaka Kelmendi dhe Tringa Ukaj, të cilat deri tani kanë luajtur jashtë vendit, njëra në Norvegji e tjetra në Suedi.

Me këto përforcime, Penza përsëri pritet të jetë në mesin e ekipeve favorite për të fituar trofe në elitën e basketbollit kosovar si dhe atë mbarëkombëtar.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.