Basketboll

Trepça dhe Bashkimi sonte kërkojnë gjysmëfinalen e Superkupës

Prishtinë(AsistiOnline) – Sonte na pret një çerekfinale mjaftë interesante në kuadër të Superkupës.

Trepça dhe Bashkimi do të kërkojnë fitoren, për të kaluar në gjysmëfinale dhe për t’ju afruar trofeut të parë të stinorit.

Të dyja klubet kanë bërë ndryshime të konsiderueshme në rostere, sidomos Bashkimi që e ka ndërruar pothuajse tërë ekipin dhe mbetet të shihet se sa do jetë efektiv.

Prizrenasit sivjet do ta nisin me trajner vendor, duke ia besuar punën Edin Kërveshit e nga lojtarët kanë transferuar Valmir Kakrukin, Dren Dedushajn, Samir Zekiqin e Altin Gashin, si dhe momentalisht kanë shtuar edhe katër të huaj. Bashkimi ka vazhduar kontratat me kapitenin Qëndrim Biraj, Altin Morinën dhe Hajriz Hazerin. Pra, nga ekipi i sezonit të kaluar, te Bashkimi kanë mbetur vetëm tre lojtarë.

Te nënkampionia, Trepça ka pasur ndryshime kryesisht tek lojtarët e huaj, pasi nga vendorët është larguar Musab Mala e ka ardhur Dardan Kapiti dhe kanë mbetur pjesa kryesore me Drilon Hajrizin, Erjon Kastratin, Mikaile Tmusiqin, Valdrin Haxhiun e Amin Hotin, derisa tek të huaj kemi një reformim total, me largime e ardhje të reja. Trepça deri tani ka prezantuar katër basketbollistë të huaj. Vlen të ceket se sivjet klubi e ka angazhuar për trajner, Adis Beqiragiqin i cili rikthehet sonte në Suharekë, por tash si kundërshtar.

Sfida mes Trepçës dhe Bashkimit fillon nga ora 20:00 e mbrëmjes dhe transmetohet direkt në Sport1/ Artmotion dhe platformat e tjera televizive vendore, por edhe në NimiTv.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.