Basketboll

Lis Shoshi në formë, Peja përmbys Yllin dhe arrin finalen e Superkupës

Prishtinë(AsistiOnline) – KB Peja është skuadra e dytë finaliste e Superkupës së Kosovës.

Ekipi verdhezi triumfoi ndaj Golden Eagle Yllit me përmbysje të madhe dhe rezultat final 72-79.

Therandasit e nisën duelin shumë më mirë duke i fituar dy periodat e para të takimit (23-18, 18-12) me çka shkuan në pushim me 41-30 dhe epërsi dyshifrore.

Në pjesën e dytë, Peja fillimisht e fitoi çerekun e tretë (17-22), për ta ngushtuar avantazhin e vendasve, derisa në çerekun e fundit dhe vendimtar bëri përmbysjen e madhe (14-27) me çka e fitoi takimin.

Kapiteni Lis Shoshi ishte fantastik në rradhët e Pejës sonte me 21 pikë e 9 kërcime dhe u rikthye në Superligën e Kosovës pas lëndimit, në mënyrë tejet të mirë. Shoshi sonte u ndihmua shumë edhe nga Jacob Calloway me 20 pikë e Justin Davis me 17 sosh.

Te Ylli s’mjaftuan kurrsesi për fitore, kapiteni Gëzim Morina me 16 pikë e as Jalen Nesbitt me 14 sosh.

Me këtë fitore, Peja e arrin finalen e madhe të Superkupës së Kosovës, ku do të ndeshet me Trepçën të dielën me fillim nga ora 17:00.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.