Basketboll

Klubet e Pejës pa ”semafor” për ndeshjet zyrtare, Komuna premton zgjidhje të shpejtë

Prishtinë(AsistiOnline) – Kanë kaluar më shumë se dy javë që prej kur klubet e basketbollit në qytetin e Pejës nuk janë duke mundur që ti zhvillojnë ndeshjet zyrtare në palestrën sportive të qytetit ”Karagaç”.

Deri tek kjo gjendje ka ardhur pasi në njërën prej ditëve ka pasur probleme me instalimin elektrik të palestrës dhe ”semafori” për shënimin e statistikave zyrtare, ka pësuar dëmtime teknike dhe ende nuk është bërë një rregullim apo blerje e re e tij.

Lidhur me këtë shqetësim të ekipeve pejane si: Penza, Peja, Peja 03, Borea, gjeneratat e reja dhe klubeve të sporteve tjera, AsistiOnline.com ka kontaktuar me Drejtoreshën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Pejës, Xhenet Syka-Kelmendi, e cila ka premtuar zgjidhjen e shpejtë të problemit.

Syka-Kelmendi ka thënë se sipas ekspertëve të fushës, rregullimi i semaforit është i pamundur dhe si i tillë duhet të blehet i ri.

Mosfunksionimi i njërit nga semaforët ka ndodhur papritmas (janë gjëra që ndodhin) dhe kemi hyrë në javën e tretë që kemi bërë të gjitha përpjekjet ta rregullojmë dhe funksionalizojmë por sipas ekspertëve të fushës është konstatuar që është e pamundur të sanohet dhe semafori si i tillë duhet të blihet  i ri”.

Drejtoresha Syka-Kelmendi ka bërë poashtu me dije procedurat për blerjen e semaforit të ri, janë strikte dhe duhet t’ju nënshtrohen protokoleve zyrtare andaj kjo do të marrë pak kohë, por ka lënë të nënkuptohet se gjithçka do të zgjidhet shpejtë.

Procedura për blerje nga ana e DKRS (dhe jo vetëm) duhet ti nënshtrohet protokoleve sipas ligjit për prokurimin dhe kjo kërkon kohë, në veçanti për diçka që është blerje apo furnizim i paplanifikuar. Ju siguroj me përgjegjësi të plotë që sapo të mbarojmë me këto procedura do t’ju njoftojmë me kohë në mënyrë që garat që zhvillohen tek Palestra “Karagaçi ” ti kthehen normalitetit me mbarëvajtje”, ka thënë ajo në përgjigjjen për AsistiOnline.com

Të kujtojmë se ekipet pejane janë mjaft të angazhuara sikurse në garat vendore ashtu edhe të huaja. Peja luan në Ligën Ballkanike dhe Penza në Ligën Unike, derisa edhe ekipet tjera sportive kanë kalendar të ngjeshur, sidomos tash në pjesën finale të kampionatit.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.