Basketboll

Peja e prezanton gjysmën e ekipit brenda dy orëve

Prishtinë(AsistiOnline) – Njëra prej skuadrave më të suksesshme kosovare, Peja duket se ka punuar në heshtje për edicionin e ri.

Verdhezinjët dje në mbrëmje e kanë prezantuar pothuajse gjysmën e skuadrës, përfshirë edhe trajnerin Hadar, me të cilin kanë vazhduar bashkëpunimin.

Te Peja janë transferuar Arti Hajdari nga P.C Prizreni e Rron Ukaj që është rikthyer në Kosovë pas diplomimit në kolegj amerikan dhe iu është vazhduar kontrata Musab Malës.

Nga transferimet e huaja, Peja ka afruar Adong Makoui dhe Jawaun Daniels.

Makoui i cili luan në pozitën e qendrës, është i gjatë 206 centimetra dhe pritet të zbarkojë në Pejë nga ekipi kanadez Saskatchewan me të cilët u paraqit në 20 ndeshje me 2.4 pikë e 3.2 kërcime. Kanadezi në stinorin 2023/24 ka luajtur edhe në Qipro me AEL Limassol, duke pasur mesatare të pikëve dyshifrore.

Derisa lojtari tjetër, Daniels është i gjatë 201 centimetra dhe luan në pozitat 3/4, ku në edicionin e fundit ka luajtur në Gjeorgji me skuadrën e Kavkasia me rreth 20 pikë për ndeshje, gjersa përvojë ka edhe në elitën e basketbollit anglez.

Gjatë orëve ose ditëve në vazhdim, Peja pritet të prezantojë edhe disa ardhje të reja. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.