Basketboll

Jitoboh i Vëllaznimit rezultoi pozitiv në testin antidoping

Edhe një rast pozitiv për antidoping është testuar nga Agjencia e Antidopingut për Kosovë.

Burime të AsistiOnline.com kanë konfirmuar se basketbollisti i Vëllaznimit, Jason Jitoboh, ka rezultuar pozitiv në një test antidoping të realizuar nga Agjencia Kosovare e Antidopingut (KosADA).

Lajmi është konfirmuar më pas edhe zyrtarisht nga vetë Agjencia, e cila e ka përfshirë këtë si rastin e tretë të konfirmuar pozitiv nga testimet e fundit në basketbollin kosovar.

Jitoboh, i cili ishte pjesë e Vëllaznimit gjatë edicionit të fundit të Superligës, ka rezultuar pozitiv gjatë një kontrolli rutinë për substanca të ndaluara.

Sipas informacioneve zyrtare, dënimi për të ka hyrë në fuqi që nga momenti i marrjes së mostrave dhe ndalimi do të zgjasë për një periudhë të caktuar, e cila ende nuk është bërë publike nga KosADA.

Me këtë rast, Jason Jitoboh bëhet lojtari i tretë që konfirmohet zyrtarisht si pozitiv nga Agjencia Kosovare e Antidopingut. Më parë, KosADA kishte bërë të ditur dy raste të tjera të ngjashme: Jordy Tshimanga, që luajti për KB Trepça, dhe Terrell Brown, ish-lojtar i Golden Eagle Yllit, të cilët gjithashtu kishin rezultuar pozitiv në testet për substanca të ndaluara.

Rritja e rasteve të tilla është një sinjal alarmi për nevojën e shtimit të kontrollit dhe vetëdijes së sportistëve lidhur me rëndësinë e respektimit të rregullave antidoping në sportin profesionist.

Komentet janë të mbyllura.