AFËR STARTIT, POR PAK RISI!
Prishtinë(AsistiOnline) – Kur jemi edhe pak diçka më shumë se një muaj deri tek fillimi i edicionit të ri në basketbollin kosovar por edhe në garat ndërkombëtare, shumica e klubeve kosovare po e vazhdojnë pushimin vjetorë të stërzgjatur.
Në fakt disa prej tyre kanë lëvizur, por shumica e ekipeve ende nuk e dinë rosterin fillestarë të skuadrës e lëre më të kenë nisur përgatitjet si skuadër e plotë.
Rahoveci, Golden Eagle Ylli, Sigal Prishtina e Ponte Prizreni, janë skuadrat që kanë lëvizur me transfere dhe nuk kanë ndenjur duarëkryq në riorganizimin e skuadrave.
Dy ekipet të cilat jo vetëm se kanë transferuar lojtarë, por edhe kanë filluar përgatitjet janë Rahoveci e Ylli. Rahoveci ishte skuadra e parë që nisi me konsolidimin e skuadrës dhe të hënën nisi me stërvitje. E rrugën e fqinjëve të tyre e ndjekën edhe therandasit e Golden Eagle Yllit që kanë transferuar një numër të konsiderueshëm lojtarësh dhe kanë nisur përgatitjet për edicionin e ri, poashtu të hënën. Por me kaq mbaron.
Përpos, Rahovecit dhe Yllit skuadrat e tjera nuk kanë filluar stërvitjet, madje as nuk është paralajmëruar një itinerar i tillë deri në këtë kohë.
Skuadrat si: Bashkimi, Trepça, Feronikeli e Lipjani, ende nuk kanë filluar as me lëvizjet më të vogla. Në fakt Nikli dhe Lipjani në mesin e verës kishin nisur me disa risi të vogla por që më pas u stopuan.
Nikli kishte vazhduar kontratat me tre prej bartësve të lojës që ishin ndër më meritorët për inkuadrimin e “industrialistëve” në Superligë(Arti Hajdari, Beqë Kovaçi, Muhamedaki Janjeva), por pas kësaj risi të tjera nuk pati. E njëjta situatë rastisi edhe tek Lipjani që pas përfundimit të stinorit, ishin paralajmëruar disa transfere të huaja, por që më nuk pati diçka konkrete dhe gjërat si duket nuk kanë lëvizur.
Si për çudi, agonia më e madhe po vazhdon në ndër skuadrat më me renome në basketbollin e Kosovës, Trepça e Bashkimi që ende nuk i kanë filluar as lëvizjet më të vogla në riorganizimin e skuadrave për edicionin e ri. Nuk ka kurrfarë paralajmërime se kur do të nisë puna për edicionin e ri dhe përkundër paralajmërimeve për nisjen e një eksodi të ri, deri më tani mbeten vetëm spekulime.
Shpresojmë që klubet kosovare të zgjohen nga gjumi i thellë, sa më shpejtë dhe të fillohet me punë e angazhime, sepse me këtë ritëm jemi shumë mbrapa.
Komentet janë të mbyllura.