Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka reaguar ashpër pas incidentit të rëndë të ndodhur mbrëmë në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, gjatë ndeshjes së ProCredit Superligës së Meshkujve ndërmjet KB Vëllaznimi dhe KB Bashkimi, duke sqaruar edhe arsyet që çuan në largimin e tifozëve nga palestra.
Sipas FBK-së, incidenti vjen vetëm pak ditë pas një rasti tjetër serioz dhune në basketbollin kosovar, për të cilin Federata kishte reaguar publikisht duke paralajmëruar zero tolerancë ndaj çdo forme dhune. Përsëritja e këtyre rasteve në një afat kaq të shkurtër, sipas Federatës, tregon se situata ka marrë përmasa alarmante dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional.
Në raportin zyrtar të delegatit të ndeshjes thuhet se gjatë çerekut të dytë janë dëgjuar ofendime në kor nga tribuna në drejtim të skuadrës mysafire, për çka publikut i është dhënë vërejtje zyrtare. Situata është përshkallëzuar pas përfundimit të pjesës së parë, kur një grup tifozësh të skuadrës vendase ka tentuar të sulmojë persona të pranishëm në tribunë, duke krijuar rrezik serioz për incidente edhe më të mëdha.
Po ashtu, nga tribuna e ballkonit është hedhur një shishe plastike e mbushur me ujë, e cila ka goditur në fytyrë ndihmëstrajnerin e KB Bashkimi, Bledar Gjeqaj, duke e rrëzuar atë në parket. Pas këtij akti të drejtpërdrejtë dhune dhe tentimeve për sulm fizik, në koordinim me gjyqtarët e ndeshjes dhe Policinë e Kosovës, është marrë vendim që palestra të zbrazet nga publiku, me përjashtim të zonës VIP, me qëllim garantimin e sigurisë së të gjithë akterëve të ndeshjes.
Federata bën të ditur se posedon pamjet filmike të incidentit, ndërsa Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e dy personave për tentim sulmi, si dhe identifikimin e personit që ka hedhur shishen, ndaj të cilit priten veprime të mëtejme ligjore.
Njëkohësisht, klubi nikoqir do të ndëshkohet për organizim të dobët të ndeshjes, ndërsa ndaj tij do të merren masa të rënda disiplinore, në përputhje me rregulloret dhe aktet normative të FBK-së.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka theksuar se dhuna fizike, fyerjet, tentimet për sulm dhe çdo sjellje e papranueshme nuk do të tolerohen, duke paralajmëruar se përsëritja e incidenteve të tilla mund të sjellë masa edhe më drastike, përfshirë zhvillimin e ndeshjeve pa publik, mbylljen e palestrave dhe humbjen e ndeshjeve me rezultat zyrtar.



