Drejtori i ri gjeneral i Sigal Prishtinës Luan Maloku ka folur sot për herë të parë në një konferencë për media, pas marrjes së detyrës nga kryesia e re e klubit.
Maloku ka thënë se klubi nuk do të shuhet ashtu siç ishte shkruar, pasi ka njerëz të vetë të vërtetë që nuk e lënë me ra prej këtij vendi dhe se janë shumë të bashkuar, raporton Ekonomia Online.
“Gjithë ky proces filloi diku në muajin korrik, ku kryesia e vjetër mori një vendim dhe emëroi në pozitën e kryetarit dhe drejtorit gjeneral Feriz Zekollin dhe Arsim Sfirçën. E gjithë kjo rezultoi si emërim i paligjshëm, që erdhi edhe nga Ministria e Sportit. Me këtë rast, menjëherë pas vendimit të ministrisë, të parët që reaguan ishin tifozët tanë “Plisat” dhe kërkuan një takim në atë kohë me kryesinë e vjetër, por asnjëherë nuk gjetën mirëkuptim dhe nuk mund të takoheshin për të vazhduar përpara. “Plisat” thanë se kryesia e vjetër po mundohej vetëm të gjente kohë dhe të përfitonte në kohën kur klubi të siguronte sponsorizimet që bëhen në muajin dhjetor, dhe kryesia e vjetër donte të dilte aty, sipas “Plisave”, dhe kjo rezultoi e vërtetë. Kryesia emëroi një kandidat të jashtëm, donin ta bënin kryetar dhe ajo ishte e paligjshme. Ftuar një kuvend, i cili ishte i tensionuar, mblodhën policë, ftuan shumë mekanizma shtetërorë dhe luftuan ndaj “Plisave” që të zgjidhej ai dhe të fitonte në kohë. Por në atë kuvend, ku gjithmonë na mbështesin neve si në tribunë dhe jashtë, “Plisat” shkuan në kuvend dhe thanë që kjo është e gabuar. Me të ardhur në zyrë, ne kemi parë që këtu ka pasur shumë keqpërdorime dhe, kur them se në rast se në një klub derdhen rreth 700 mijë euro, që janë derdhur në nëntor dhe dhjetor, dhe në atë klub kur fillon muaji janar nuk ke asnjë para në konto, kjo është keqmenaxhim, për të mos thënë keqpërdorim, por janë organet kompetente. Është shumë jonormale që 700 mijë euro për 30 ditë të avullojnë”, tha Maloku.
Po ashtu ai përmendi disa nga obligimet me të cilat kanë hasur, por theksoi se ata nuk do të dorëzohen.
“Kur kemi ardhur këtu, e kemi hasur që kemi një obligim ndaj ATK-së, Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndaj Ligës. Kemi dy lëndë në BAT, të dyja jemi duke i negociuar. Njëra është e trajnerit grek, i cili ka ardhur këtu; është vetëm pjesa e agjensionit që nuk u pagua. Flitet për 8 mijë euro dhe nuk është fundi i botës dhe nuk po shuhet klubi. Bash për këto ju kam thirrur me ju kallëzu që na veç përpara kemi me shku dhe kjo na ka bashkuar. Dhe kurrë më shumë media nuk kam parë; nuk e di a keni ardhur me marrë lajmin e keq, por unë po ua jap të mirin që ky klub kurrë më i bashkuar nuk ka qenë në krejt qytetin, me krejt njerëzit, se “Prishtina” ka njerëz të vërtetë të vet që nuk e lënë me ra prej këtij vendi. Dhe ne shumë të bashkuar dhe më shumë se kurrë jemi”, tha Maloku në konferencë për media. /EkonomiaOnline



