Golden Eagle Ylli po vazhdon me përforcime para fazës finale në basketbollin kosovar.
Sipas asaj që ka mësuar AsistiOnline.com, therandasit kanë arritur marrëveshje me transferin e radhës, duke nënshkruar me basketbollistin lituanez Donatas Sabeckis, i gjatë 198 centimetra, i cili mbulon pozitat 3/4.
Sabeckis vjen në Therandë pas një karriere të gjatë në kampionate të ndryshme evropiane, kryesisht në Lituani, por edhe në Gjermani, Kroaci, Zvicër e Poloni.
Lojtari e nisi rrugëtimin profesional te Jazz-Diremta, ndërsa më pas ishte pjesë e Suduvas, ku kaloi disa sezone radhazi.
Ai vazhdoi karrierën te Siauliai, duke u konsoliduar si një lojtar i rëndësishëm në elitën lituaneze, përpara se të transferohej te gjiganti lituanez Zalgiris Kaunas në sezonin 2018/19. Në Lituani lojtari ka luajtur edhe për Lietkabelisin.
Në të njëjtin sezon provoi edhe eksperiencë jashtë vendit me klubin gjerman Ludwigsburg, ndërsa më pas veshi fanellën e Cibonës në Kroaci dhe pastaj u rikthye te Prienai në Lituani.
Eksperienca e tij ndërkombëtare përfshin edhe aventurën në Zvicër me Lions de Geneve dhe Czarni Slupsk në Poloni.
Sezonin e fundit ai ishte pjesë e M Basket-Delamode, ndërsa në edicionin aktual ishte i regjistruar me Juventus Utena, atje ku në 12 ndeshje kishte 7 pikë mesataren.
Golden Eagle Ylli vazhdon kështu ndërtimin e ekipit për sezonin e ri, me synimin për të qenë konkurrues për titull, si dhe Ligën Unike. /AsistiOnline.com/



