Bora ka regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme në Superligën e Kosovës në basketboll, duke triumfuar në udhëtim ndaj Rahoveci 029 me rezultat 85:77.
Takimi i zhvilluar të mërkurën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec foli në pjesën më të madhe në favor të mysafirëve, të cilët ndërtuan epërsinë që në fillim dhe e administruan me kujdes deri në fund.
Skuadra prishtinase e nisi ndeshjen me intensitet të lartë, duke fituar çerekun e parë 27:21 dhe të dytin 27:22. Avantazhi u zgjerua edhe në periodën e tretë, që përfundoi 16:11 për Borën, duke krijuar një diferencë të konsiderueshme para dhjetë minutave të fundit.
Rahoveci 029 reagoi në çerekun e katërt, të cilin e fitoi 23:15, por përpjekjet e vendasve nuk mjaftuan për të përmbysur rezultatin e krijuar më herët.
Te Bora u veçua Shaquan Jules me 14 pikë, tetë kërcime dhe dy asistime, ndërsa paraqitje të mirë pati edhe Rrezart Memedi, i cili realizoi 20 pikë, duke shtuar dy kërcime dhe dy asistime.
Në anën tjetër, më efikasi te vendasit ishte J’von McCormick me 27 pikë, gjashtë asistime dhe katër kërcime.
Pas kësaj fitoreje, Bora vazhdon të mbajë vendin e tretë në tabelë me 34 pikë, me bilanc prej 12 fitoresh dhe 10 humbjesh. Ndërkohë, Rahoveci 029 mbetet në pozitën e tetë, përkatësisht të fundit, me 29 pikë, shtatë fitore dhe 15 humbje. /AsistiOnline.com/



