Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar sot për një tjetër hap të rëndësishëm për zhvillimin profesional të trajnerëve kosovarë.
FBK ka njoftuar se trajneri Endrit Elshani është pranuar në Programin Ndërkombëtar “International Coaching Apprenticeship in Basketball (ICAB)”, nga Universiteti i Delaware, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Shteteve të Bashkuara (USOPC), FIBA-n dhe me mbështetjen e Olympic Solidarity, duke u përkrahur edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Pjesëmarrja e tij në këtë program do të mbështetet me bursë nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), duke i mundësuar atij të përfitojë përvojë të drejtpërdrejtë në një mjedis profesional dhe ndërkombëtar.
Gjatë këtij programi, Elshani, i cili është përzgjedhës i Kosovës U18 do të ketë mundësinë të punojë pranë trajnerëve të njohur, të mësojë nga praktikat më moderne të basketbollit dhe të zhvillojë më tej filozofinë e tij si trajner.
Programi do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 3 qershori deri më 6 nëntor të këtij viti.
Ky program zhvillohet përmes një moduli pesëmujor online dhe një fazë në SHBA, ku trajnerët kanë mundësinë të ndjekin nga afër punën e stafit të ekipeve të NCAA Division I.
Vlen të theksohet se më herët pjesë e këtij programi ka qenë edhe Dorant Hana, i cili tashmë ka kontribuar në zhvillimin e basketbollit vendor pas përfundimit të ICAB.



