Trepça e ka fituar përballjen e parë të serisë gjysmëfinale të play off-it të Superligës së Kosovës.
Mitrovicasit fituan ndaj Pejës në ”Minatori” me rezultat final 86-78.
Mitrovicasit e nisën më mirë duke i fituar dy periodat e para (24-21, 24-16) për të mbyllur pjesën e parë në avantazh dyshifror 48-37.
Në pjesën e dytë, pejanët tentuan rikthimin (13-17, 25-24), por që nuk mjaftoi dhe vendasit iu gëzuan fitores.
Veterani Drilon Hajrizi ishte më i dalluari te Trepça sonte me 17 pikë, derisa u ndihmua edhe nga JaCori Payne e Shawn Jones me nga 13 pikë.
Edhe te Peja veterani Dardan Berisha ishte më i miri, duke realizuar 19 pikë, gjersa Daquan Bracey shtoi 13 tjera.
Trepça merr avantazhin e serisë gjysmëfinale në 1-0 e ndeshja e dytë zhvillohen të dielën në ”Karagaç” të Pejës.
Skuadra që arrin tri fitore, kualifikohet në finalen e madhe. /AsistiOnline.com/



