Bashkimi ka fituar ndeshjen e parë të serisë gjysmëfinale ndaj Borës duke shfrytëzuar pikërisht ato elemente ku ka qenë më i mirë ndaj prishtinasve edhe gjatë kampionatit:
• dominimi në brendi të trapezit
• Presioni në brendi dhe detyrimi i Borës që të shkaktoj faulle
• Efikasiteti më i lartë në gjuajtje të lira
• mbrojtje agresive duke detyruar Borën të humb numër të madh të topave
• shfrytëzimi i topave të humbur të Borës dhe shndërrimi në pikë
• Kundërsulmet e shpejta / tranzicioni i shpejtë
Elementi kyç në fitoren e Bashkimit ka qenë efikasiteti shumë më i lartë nga loja për 2 pikë (Bashkimi 58% – Bora vetëm 41%) si dhe efikasiteti i realizimit të gjuajtjeve të lira (Bashkimi 75% gjuajtje të lira 12/16 – Bora 50% gjuajtje të lira 6/12)
Kjo tregon qartë se Bashkimi ishte shumë më i saktë në brendi të trapezit ndërsa Bora pati vështirësi serioze në finalizim në brendi pavarësisht se Bora ishte më e mirë për 3 pikë (42% apo 12/28 përkundër Bashkimit që realizoi 28% për treshe 7/25) por kjo nuk mjaftoi për të balancuar dallimin që e bëri dominimi në brendi
Pa dyshim se topat e humbur të Borës kanë qenë një nga arsyet kryesore që i mundësuan fitore Bashkimit pasi në kundërsulm portokallinjtë ishin shumë të saktë dhe dominuan.

Pikët e shënuara nga topat e humbur ishte 21:8 për Bashkimin kurse pikë nga kundërsulmet ishte 13:8 në favor të Bashkimit.
Këto shifra tregojnë qartë një dominim absolut në tranzicion dhe erdhën si rezultat i presingut të madh dhe mbrojtjes agresive e cila detyroi Borën të humbas 16 topa.
Kjo i dha kundërshtarit mundësi të shumta për pikë të lehta, një luks i cili nuk lejohet në PlayOff.
Nga ana tjetër, kur e analizojmë lojën e Borës e cila 8 minuta para fundit kishte 12 pikë epërsi (50:62) dhe fare lehtë ka mundur ta fitoj këtë duel, duhet pranuar se shfaqi një ndeshje të mrekullueshme dhe u përgjigj me elementet e veta të forta:
• dominim në kërcime edhe pse kësaj here avantazh i vogël (37:36 për Borën)
• dominim i lehtë në shënimin e rasteve të dyta pas kërcimit në sulm (11:9)
• Avantazh dhe dallim të madh bënë rezervistët (38:7) ku banka e Borës ishte dukshëm më produktive dhe mbajti ekipin në avantazh në periudha të caktuara të lojës.
Sa i përket organizimit të lojës, Bashkimi tregoi më shumë kontroll dhe disiplinë, duke krijuar më shumë raste dhe pikë nga loja kolektive dhe duke ushtruar presion në mbrojtje. Bashkimi dominoi në asistime (15:12) dhe topa të vjedhur (11:4) .
Megjithatë, patjetër duhet theksuar se dallimin në këtë duel e bëri paraqitja e mrekullueshme individuale e Shanon Shorterit i cili shënoi 28 pikë, duke shpërthyer në çastet vendimtare me trepikëshat e tij (4/6), 6 kërcime, duke vjedhur 4 topa dhe ikur në kundërsulme, me çka ishte lider dhe lokomotiva e prizrenasve drejt fitores së parë në këtë seri gjysmëfinale.

Përveç Shorterit , lojë tyë mirë shfaqën Riley me 17 pikë, qendra Lake me 11 pikë e 8 kërcime dhe Lejsoni i cili edhe pse pati vetëm 5 pikë ai bëri 8 kërcime , vodhi 4 topa dhe asistoi 3 herë
Te Bora u dallua treshja Cheese (17 pikë , 4/10 për treshe) pastaj Jordan Dingle i cili ishte fenomenal për tri pikë (4/5 ) dhe në total shënoi 16 pikë kurse Hunter shtoi vetëm 10 pikë e 2 asistime. Atë që duhet veçuar gjithashtu ishte Jetmir Zeqiri i cili edhe pse nuk shënoj asnjë pikë pati 11 kërcime, 3 asistime dhe 3 topa të vjedhur
Megjithatë, po e ritheksoj se, shikuar në përgjithësi, dallimin e bëri loja kolektive dhe jo vetëm kontributi individual.
Në fund, kur i shikojmë gjitha këto elemente vijmë në përfundim se, kur Bashkimi kontrollon topin, dominon në brendësi, është agresive në mbrojtje dhe detyron gabime (topa të humbur) dhe vrapon shpejt në tranzicion atëherë është shumë i vështirë për t’u ndalur.
Në anën tjetër, Borën po e ndëshkon numri i lartë i topave të humbur, përqindja e ultë e shënimit për 2 pikë në brendi dhe kundërsulmet jo efikase, pasi nuk po arrijnë të konkretizon topat e vjedhur sikurse Bashkimi



