Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pas incidenteve të ndodhura në dy ndeshjet e para gjysmëfinale të “Play-off”-it në Superligën e Kosovës te meshkujt, të zhvilluara në Pejë dhe Mitrovicë, duke i cilësuar ato si sjellje të papranueshme.
Sipas njoftimit, gjatë këtyre përballjeve janë evidentuar fyerje të organizuara në kor nga tribunat në drejtim të lojtarëve, duke cenuar parimet bazë të respektit, integritetit dhe fair-play-it që duhet të karakterizojnë garat sportive.
Federata ka theksuar veçanërisht rastin e ndeshjes në Pejë, ku përveç fyerjeve nga tifozët, janë përdorur edhe mjetet e zërimit të palestrës për të përçuar mesazhe fyese, pavarësisht paralajmërimeve zyrtare të bëra gjatë lojës.
“Një praktikë e tillë është e papranueshme dhe nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë”, thuhet në reagimin e FBK-së.
Institucioni më i lartë i basketbollit në vend ka rikujtuar se përgjegjësia për organizimin e ndeshjeve dhe garantimin e një ambienti të sigurt e dinjitoz bie mbi organizatorët, duke përfshirë edhe kontrollin e plotë mbi sistemet e komunikimit dhe sjelljen në palestër.
FBK njofton se tashmë ka ndërmarrë masa disiplinore në përputhje me rregulloret në fuqi dhe paralajmëron se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet në fazat e mbetura të “Play-off”-it.
Në të njëjtën kohë, është bërë e qartë se çdo përsëritje e sjelljeve të tilla do të ndëshkohet pa përjashtim me masa shtesë, në përputhje me kornizën rregullative.
Në fund, FBK ka ritheksuar përkushtimin e saj për zhvillimin e garave në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe vlerat e sportit, duke nënvizuar se respekti dhe integriteti mbeten të panegociueshme.
Reagimi i plotë dhe pa nderhyrje:
Reagim i Federatës së Basketbollit të Kosovës
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dënon sjelljet e papranueshme të evidentuara gjatë dy ndeshjeve të para gjysmëfinale të Play-Off-it në ProCredit Superligë, të zhvilluara në Pejë dhe Mitrovicë.
Gjatë këtyre ndeshjeve janë konstatuar fyerje të organizuara në kor nga tribunat në drejtim të lojtarëve, sjellje që bie ndesh me parimet themelore të respektit, integritetit dhe fair-play që përbëjnë bazën e garave sportive.
Federata e konsideron veçanërisht të rëndë faktin se në ndeshjen e zhvilluar në Pejë, përveç fyerjeve nga tribunat, janë përdorur edhe mjetet e zërimit të palestrës për të përçuar mesazhe fyese, pavarësisht paralajmërimeve zyrtare gjatë ndeshjes. Një praktikë e tillë është e papranueshme dhe nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë.
Federata rikujton se përgjegjësia për garantimin e një ambienti të sigurt, dinjitoz dhe të respektueshëm bie mbi organizatorët e ndeshjeve, përfshirë kontrollin e plotë mbi përdorimin e sistemeve të komunikimit dhe sjelljen në palestër.
FBK ka ndërmarrë masa disiplinore në përputhje me rregulloret në fuqi dhe do të vazhdojë të monitorojë me kujdes zhvillimet në fazat e mbetura të garës. Çdo përsëritje e sjelljeve të tilla do të trajtohet pa përjashtim me masa shtesë, në përputhje me kornizën rregullative.
Federata e Basketbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar për të garantuar që garat e saj zhvillohen në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe vlerat e sportit.
Respekti dhe integriteti janë të panegociueshme.



