Federata e Basketbollit e Kosovës ka shqiptuar një sërë dënimesh pas ndeshjes së dytë të serisë gjysmëfinale të “Play-off”-it në Superligën e Kosovës mes KB Peja dhe KB Trepça.
Bazuar në raportet zyrtare dhe në përputhje me Propozicionet e Garave (PG), janë ndëshkuar si klubet ashtu edhe lojtarët për incidente dhe sjellje josportive gjatë takimit.
Skuadra vendase, KB Peja është dënuar në disa pika:
- Lojtari Daquan Bracey është dënuar me 100 euro në bazë të nenit 52.1 të PG për gabim teknik për sjellje josportive.
- Klubi është dënuar me 500 euro sipas nenit 50.31 për përdorimin e muzikës dhe mikrofonit me qëllim nxitjen e ofendimeve në kor para, gjatë dhe pas ndeshjes.
- Një tjetër gjobë prej 500 eurosh është shqiptuar në bazë të nenit 51.4 për hedhjen e mjeteve të forta në fushë, të cilat mund të shkaktojnë lëndime të lehta, si shkrepëse, monedha apo shishe plastike.
- Po ashtu, me 700 euro është dënuar klubi sipas nenit 51.6 për anim dhe sjellje josportive, përfshirë sharjet në kor ndaj ekipeve, gjyqtarëve dhe personave zyrtarë.
Ndërkohë, edhe nga radhët e KB Trepça është shqiptuar një dënim individual:
- Lojtari Akili Vining është dënuar me 100 euro në bazë të nenit 52.1 të PG për gabim teknik për sjellje josportive.
Këto masa vijnë në një periudhë kur FBK ka paralajmëruar tolerancë zero ndaj sjelljeve që cenojnë rendin dhe fair-play-in në fazat vendimtare të kampionatit. /AsistiOnline.com/



