Basketboll

EKIPET KOSOVARE SYNOJNË GARAT NDËRKOMBËTARE

Prishtinë (AsistiOnline) – Si asnjëherë më parë, edicioni i ri në basketbollin kosovar pritet të jetë jashtëzakonisht rivalizues dhe interesant.

Ekipet tona, kanë paralajmëruar se në stinorin që po vjen, përveq garave vendore do të synohen edhe garat që njihen nga FIBA si gara rajonale, por me karakter edhe më të gjerë.

Realisht, garat europiane për ekipet kosovare nuk është se janë krejtësisht befasi. Sepse, ekipe si: Prishtina, Peja, Bashkimi por edhe Trepça i kanë pasur përvojat e tyre në gara të karakterit të tillë.

Prishtina e Peja, janë ekipet kosovare që kanë luajtur në kompeticione prestigjioze. Prishtina që është fituese e dyfishtë e Ligës Ballkanike, luan në FIBA Europe Cup qe sa vite, ndërsa ka përvojë edhe në Champions League dhe këtu mëton të luajë edhe edicionin e ardhshëm. Prishtina sivjet synon të luajë edhe në ABA-Ligë, por që kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë realisht.

Peja që momentalisht është shëndrruar në KB Penza dhe ende nuk dihet fati i sigurtë i saj, poashtu mbetet ekipi i dytë më i suksesshëm në gara ndërkombëtare nga ekipet kosovare. Pejanët kanë luajtur, në Ligën Ballkanike për disa vite, ndërsa përvojën e tyre pozitive e kanë edhe në FIBA Europe Cup.

Përvojë ndërkombëtare, konkretisht në Ligën Ballkanike kanë edhe ekipet sikurse, Bashkimi e Trepça. Ndërsa sivjet, ekipe të tjera kosovare e kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në gara të tilla.

Golden Eagle Ylli ka paralajmëruar se sivjet mund të synojë të luajë në FIBA Europe Cup, përderisa edhe skuadrat si, Rahoveci e Ponte Prizreni në paralajmërimet e tyre kanë konfirmuar një gjë të tillë.

Kërkesë për të luajtur në Ligën Ballkanike, pritet të bëjë edhe skuadra debutuese sivjet në Superligën e Basketbollit tonë, KB Feronikeli. “Industrialistët” që u formuan vetëm vitin e kaluar si ekip(2018) dhe arritën sukses historik duke u inkuadruar në Superligë në vitin e parë të formimit, pritet që stinorin e ardhshëm të luajnë në Ligën Ballkanike.

Realisht diçka zyrtare për ekipet e konfirmuara kosovare të lartëcekura në këto gara nuk ka, por kështu pritet të ndodhë për faktin se interesimi i tyre për to, ka qenë publik.

Deri atëherë, shpresojmë që ekipet kosovare të riorganizohen si asnjëherë më parë dhe të na kënaqin me sukseset e tyre në këto gara ndërkombëtare që i synojnë.

 

Komentet janë të mbyllura.