MATOSHI I LUMTUR TEK PONTE PRIZRENI, SYNOHEN SUKSESET E RADHËS
Prishtinë (AsistiOnline) – Basketbollisti i talentuar pejanë, Blendi Matoshi ka folur në një intervistë për AsistinOnline, duke shpalosur planet e se ardhmes për vete dhe ekipin e Ponte Prizrenit.
Matoshi fillimisht foli për synimet e stinorit të kaluar, duke e cilësuar si tejet të suksesshëm.
“Sa i përket synimeve të klubit për sezonin që lamë pas, klubi ka arritur objektivat e parapara dhe me mjaftë sukses kemi përfunduar kampionatin dhe mendoj se ishte një stinor i mirë për ne në përgjithësi”.
Basketbollisti pejanë u shpreh i ngazëllyer për vazhdimin e kontratës me prizrenasit, duke treguar edhe arsyjen kryesore pse e shtyri të bëjë një gjë të tillë.
“T’ju them të drejtën, për kontratën e re jam shumë i kënaqur që kam vazhduar me Ponte Prizrenin. Arsyeja kryesore e vazhdimit është trajneri z.Arbnor Rifati që është privilegj të punosh me të kjo ishte edhe arsyeja kryesore që më bindi”.
Tutje ai tregoi se stërvitjet për stinorin e ri i ka nisur me një tempo të lehtë dhe deri në fillim të stinorit të ri, beson se do të jetë në formën e dëshiruar.
“Sa i përket përgatitjeve për stinorin e ri, momentalisht jam duke u përgatitur gradualisht dhe nga dita në ditë, do ta rrisë tempon e punës, besoj se stinori i ri do të më gjejë në formë optimale.
Për fund, Blendi tregoi edhe synimet e tij me Ponte Prizrenin për edicionin e ri, duke qenë i bindur në suksese.
“Synimet me Ponte Prizrenin për sezonën e ardhshme janë, Play Off-i dhe Final Four-i i Kupës, por pse jo të jemi edhe pretendent për titull”, përmbylli intervistën për AsistiOnline Matoshi i bindur në sukseset e ardhshme të skuadrës nga qyteti i lashtë i Prizrenit.
Matoshi stinorin e kaluar luajti me shumë sukses tek skuadra e Ponte Prizrenit, dhe kjo bëri që të zgjatet bashkëpunimi së paku edhe për një vit, ndërmjet klubit prizrenas dhe lojtarit në fjalë.
Komentet janë të mbyllura.