Prishtinë(AsistiOnline) – Rahoveci e ka arritur fitoren e parë dhe historike në Ligën Ballkanike.
”Vreshtarët” në “Mizahir Isma” kanë mposhtur skuadrën tjetër kosovare, KB Peja me rezultatin 106-94.
Ndeshja ishte shumë interesante që nga fillimi, derisa skuadrat ishin shumë efikase. Kjo bëri që çereku i parë të përfundojë me rezultat 34:25 për vendasit. Megjithatë, në periudhën e dytë, më të mirë ishin mysafirët nga Peja që e fituan këtë pjesë 24:29, derisa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 58:54 për vendasit. Perioda e tretë ishte tërësisht e barabartë 19:19, derisa fituesi u vendos në dhjetëminutëshin e katërt. Në 10 minutat e fundit, Rahoveci ishte më i mirë, duke fituar 29:21 dhe tërë ndeshjen me rezultat 106:94.
Në fitoren e Rahovecit u dalluan Joshua McFolley me 38 pikë, Darrel Davis me 24 pikë, Javis Howard dhe Joshua Davis me nga 18 pikë, derisa te Peja u dalluan Arbër Berisha me 25 pikë dhe 17 kërcime, Drilon Hajrizi me 21 pikë e shtatë kërcime dhe Malcolm Armstead me 18 pikë, pesë kërcime dhe gjashtë asistime.
Rahoveci tani ka një fitore dhe katër humbje, kurse Peja dy fitore dhe dy humbje.