Basketboll

BASHKIMI: BRIDGEMAN I “ TMERRSHËM” FITON FUQI ME KOSHIN DHE MALËN

Trajneri i ri Ilmen Bajra bëri revolucion me Bashkimin që sivjet po shfaq një nga lojërat më atraktive në Superligë kurse në pranverë treshja fantastike Bridgeman, Ross dhe Clark do ta ketë edhe ndihmën e Roni Koshit që erdhi nga Superliga turke dhe Galatasarayi i famshëm

(AsistiOnline) – Njëherë kampioni kosovar, skuadra prizrenase e Bashkimit edhe pse në fillim të stinorit nuk kishte pretendime të mëdha për këtë vit, ekipi që u krijua nga trajneri i ri kosovar Ilmen Bajra doli të jetë problematik për të gjitha ekipet. Lojtarët vendor prizrenas të ndihmuar nga treshja fantastike Bridgeman, Ross dhe Clark arritën ti mposhtin po thuaj të gjitha ekipet e Superligës të paktën nga një herë. Ishte vetëm Golden Eagle Ylli ekipi i cili i mposhti ata dy herë në vjeshtë.

Portokallinjtë e përfunduan stinorin në pozitën e tretë në renditjen tabelore me 11 fitore e 5 humbje aq sa ka edhe Rahoveci i cili ndodhet në pozitën e dytë.

Në ndeshjen e tyre të dytë kundër Trepçës ata humbën lojtarin e tyre, Musab Mala i cili pësoi një lëndim dhe mungoi deri në fund të stinorit. Mala duket se është rikuperuar dhe do të rikthehet që nga ndeshja e parë e stinorit pranveror e që do të jetë ndihmë shtesë për ekipin prizrenas.

Bashkimi gjatë afatit kalimtar ishte pothuaja i heshtur duke transferuar vetëm djaloshin e ri Roni Koshi i cili në Sezai Surroi erdhi pas përvojës në basketbollin e Turqisë pasi më herët ka qenë pjesë e grupmoshave të Galatasarayit dhe Përfaqësuesës së Turqisë. Edhe pse përflitej për sjelljen e një lojtari të ri në pozitën e qendrës duket se udhëheqësia e klubit ishin të kënaqur me ekipin gjatë stinorit vjeshtor dhe vendosën të vazhdojnë në përbërje të njejtë edhe në pranverë.

 

Komentet janë të mbyllura.