Basketboll

TOP-KOSHASHËNUESIT E SUPERLIGËS, PËR STINORIN 2019/20 [VIDEO+LAJM]

Prishtinë(AsistiOnline) – Edhe pse ky edicion u ndërpre për shkak të pandemisë me COVID19 dhe kampioni nuk do të shpallet megjithatë duhet ta shohim se cilët ishin lojtarët dhe cilat ishin ekipet më të suksesshme të Superligës 2019/2020 në elementet kryesore të lojës.

Duhet theksuar se kusht për të qenë në listën e më të mirëve ka qenë zhvillimi i më shumë se gjysmës së ndeshjeve , pra 12 lojë e më tepër.  

TOP KOSHASHËNUESIT

Po fillojmë me kategorinë individuale dhe koshashënuesit më të mirë, ku pas 27 xhirove dhe në fakt 24 ndeshjeve të zhvilluara pasi në çdo xhiro nga një skuadër pushoi, top listës së snajperistave më të mirë i prinë ish plejmejkeri i Lipjanit, Demarkus Stuckey.

Stuckey me Lipjanin luajti 14 ndeshje dhe pati mesatare prej 29.9 pikëve duke qenë larg lojtari më efikas në Superligën e Basketbollit Kosovar.

Pas tij në pozitën e dytë është DJ Hanes i Trepçës i cili në 23 paraqitjet e tij pati mesatare prej 24.2 pikëve për ndeshje.

Snajperisti i tretë më i mirë i Superligës ishte Malcolm Canada i Ponte Prizrenit, njëherësh MVP i edicionit vjeshtor. Canada që në këtë edicion zhvilloi 16 ndeshje për bardh e zinjtë prizrenas pati mesatare prej 22.6 pikëve ndërsa pozitën e katërt e zë Tyrone Garland i Feronikelit që në 14 ndeshje me skuadrën nga Drenasi pati mesatare prej 22 pikëve për ndeshje.

Krejt në fund, top 5-shën e koshashënuesve më të mirë të Superligës e përmbyll plejmejkeri i Sigal Prishtinës dhe reprezentuesi kosovar, Divine Myles.

Myles që ishte pjesë e kaltër e bardhëve edhe në edicionin 2018/2019 dhe ndër figurat kryesore të suksesit historik të kryeqytetasve në FIBA Europe Cup dhe fitoren e gjithë trofeve vendor , këtë edicion zhvilloi të gjitha 14 duelet vjeshtore dhe pati mesatare prej 20.2 pikëve për ndeshje.

TOP KOSHASHËNUESIT
Demarkus Stuckey – 14 ndeshje (Lipjani) 29.9 ppn
DJ Hanes – 24 ndeshje (Trepça) 24.2 ppn
Malcolm Canada – 16 ndeshje (Ponte Prizreni) 22.6 ppn
Tyrone Garland – 14 ndeshje (Feronikeli) 22.0 ppn
Divine Myles – 14 ndeshje (Sigal Prishtina) 20.2 ppn
6. Samir Zekiqi 19.9 ppn
7. Dardan Berisha 18.6 ppn
8. Terik Bridgeman 18.6 ppn
9. Cory Ross 18.6 ppn
10. Henrik Shirko 17.9 ppn
11. Drilon Hajrizi 16.8 ppn

Komentet janë të mbyllura.