Basketboll

PRIZRENI RIKTHEHET TE FITORET, VAZHDON FORMA E DOBËT E TREPÇËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Ponte Prizreni është rikthyer shpejtë te fitoret, pas humbjes nga rivali lokal Bashkimi në mesjavë.

Skuadra prizrenase ka arritur të triumfojë si vendase ndaj Trepçës nga Mitrovica me rezultat, 95-74.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte shumë interesante me Ponte Prizrenin që e mbylli çerekun e parë me avantazh, 27-20, përderisa në çerekun e dytë, mitrovicasit paksa u këndellën dhe fituan këtë periudhë, 19-22 e pjesa e parë u mbyll me rezultat të ngushtë në favor të Ponte Prizrenit, 46-42.

Në pjesën e dytë, Ponte Prizreni e bëri dallimin kryesor të ndeshjes, duke krijuar avantazh të thellë gjatë çerekut të tretë, 21-12, ndërsa në çerekun e fundit(28-20), Prizreni vetëm se e konfirmoi fitoren e 10 sezonale, karshi 4 humbjeve.

Katër basketbollistë arritën pikë dyshifrore në fitoren e Prizrenit sot: Jeremiah Paige(27), Xavier Cannefax(22), Arti Hajdari(16), Urim Zenelaj(11), si dhe i riu Leorit Morina shtoi 8 pikë.

Te Trepça s’mjaftuan për fitore, Erving Walker me 26 pikë, Besnik Azemi e Dillon Smith me nga 13 pikë, si dhe Staphon Blair me 12 sosh.

Ponte Prizreni e mbyll stinorin vjeshtor në pozitën e dytë me 24 pikë, 10 fitore e 4 humbje. Përderisa, Trepça vjeshtën e mbylli në pozitën e fundit me 16 pikë, 2 fitore e 12 humbje.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.