Basketboll

LIPJANI MPOSHT NEW BASKETIN DHE FUTET NË GARË PËR MBIJETESË

Prishtinë(AsistiOnline) – KB Lipjani e ka arritur një fitore të madhe ndaj New Basketit, për të ngjallur shpresat se do të mbetet në Ligën e parë.

Skuadra lipjanase ka triumfuar në palestrën e vet ”Better Life”, ndaj një ekipi të fortë sikurse New Basketi me rezultat bindës dhe të përgjithshëm, 98-78.

Ishin vendasit ata që e kontrolluan tërë ndeshjen dhe fituan periodat kryesore të ndeshjes(25-19, 19-10, 30-20), përpos të fundit e cila i takoi New Basketit(24-29), por që nuk mjaftoi për fitore dhe kështu Lipjani ju gëzua fitores e cila i mban në luftë për mbijetesë.

Si zakonisht, kapiteni Fazli Vitia ishte individi më i dalluar në fitoren e Lipjanit sonte me 28 pikë, 6 asiste, 5 kërcime, 2 vjedhje topash e 2 bllokada, por u dalluan edhe Besmir Nuli me 19 pikë, Arjanit Krasniqi me 18 pikë, Granit Ejupi me double-double(11pk, 16krc) dhe Egzon Hasani e Hamit Sllamniku me nga 10 sosh.

Te New Basketi me lojë të mirë u dalluan: Bardhi Rexha me 28 pikë, Hajriz Hazeri me 15 pikë, Drini Rexha me 14 pikë dhe Endrit Elshani me 11 sosh.

Me këtë fitore, Lipjani largohet nga fundi i tabelës të cilin e mbante nga fillimi i sezonit dhe ngritet në pozitën e 9-të me 19 pikë, 2 fitore e 15 humbje. Në anën tjetër, New Basketi mbetet në pozitën e 4-të me 27 pikë, 10 fitore e 7 humbje.

Në xhiron e fundit të stinorit të rregullt në këtë garë, Lipjani takohet me Feronikelin e New Basketi e luan derbin lokal ndaj Megasportit.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.