Basketboll

ÇKA MENDOJNË SKUADRAT KOSOVARE PËR ORGANIZIMIN E LIGËS UNIKE NË PRAG TË PLAY OFFIT?

Prishtinë(AsistiOnline) – Paralajmërimi i djeshëm për nisjen e Ligës Unike të basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë, për shumë kënd ka qenë befasues në këtë fazë të garave të Superligës kur skuadrat po përgatiten për Play Off, shkruan AsistiOnline.com

Rikujtojmë se Liga Unike e Basketbollit e cila u themelua me shumë bujë më 10 shtator 2020, në Tiranë, bashkoi basketbollin e Kosovës dhe Shqipërisë në një për më tepër, kjo u bë me përkrahjen direkt të FIBA Evropës.

Pa dyshim se 10 Shtatori 2020 hyri në analet e jo vetëm të basketbollit por sportit mbarëkombëtar shqiptarë në përgjithësi, si ditë e unifikimit të sportit të dy shteteve shqiptare dhe realizimit të idesë së kamotshme.

Megjithatë, pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 dhe vendimi i shtetit shqiptarë që për shkak të masave mbrojtëse të mos lejoj zhvillimin e garave të kampionatit, pamundësoi jetësimin e kësaj nisme në formën dhe kohën e paraparë.

Edicioni i sivjetmë i Ligës Unike nuk filloj në Nëntor 2020 siç ishte paraparë ndërsa të mërkurën (31 Mars 2021) u kuptua se: nuk do të aplikohet as formati i paraparë i garave në formë të ligës me sistemin e vajtje-ardhjes por do të zhvillohet në format të Kupës, me sistem eliminimi.

Më 6 dhe 7 Prill, në Kosovë, do të zhvillohen katër ndeshjet çerekfinale dhe një javë më vonë, në Durrës, me 13 Prill do të zhvillohen gjysmëfinalet kurse me 14 Prill ndeshjet për vendin e tretë dhe titullin e fituesit të kupës së Ligës Unike 2021.

Por shtrohet pyetja nëse aktivitetet e Ligës Unike erdhën në periudhë të përshtatshme për klubet kosovare që po zhvillojnë betejat vendimtare për kualifikim në Play Off ose mbijetesë. Është kjo kohë kur në Kosovë po zhvillohet një prej kampionateve më dramatike përderisa kampionati i sivjetmë i Superligës së Shqipërisë në basketboll startoi para një muaji, më saktësisht me 27-28 Shkurt.

Skuadrat pjesëmarrëse nga Superliga e Kosovës si Rahoveci dhe Golden Eagle Ylli po luftojnë për kreun e tabelës dhe kualifikim direkt në gjysmëfinale kurse skuadra më e trofeshme e gjitha kohëve, Sigal Prishtina po lufton në tri fronte: për mbijetesë, Play Out apo edhe hyrje eventuale në Play Off.

Në këtë garë e cila pritet të zgjojë kureshtjen e madhe të publikut shqiptar, për të luajtur nga Shqipëria janë nominuar: Goga Basket, Vllaznia, Teuta dhe Partizani kurse nga Kosova përveç Sigal Prishtinës, Rahovecit dhe Golden Eagle Yllit do të luaj edhe Peja.

Vendimi për startin e Ligës Unike zuri në befasi klubet dhe për këtë, AsistiOnline mori opinionet e tyre.

Sa është i përshtatshëm ky organizim në këtë fazë? A janë konsultuar skuadrat dhe a e kanë dhënë aprovimin e tyre të luhet në këtë periudhë? A ka mundur të organizohet kjo garë në kohë më të përshtatshme, në po këtë formë, si Kupë? Si e shohin klubet këtë vendim të FBK-së dhe FSHB-së?

Gjitha këto pyetje AsistiOnline ua ka shtruar skuadrave pjesëmarrëse nga Kosova, Shqipëria dhe natyrisht zyrtarëve të FBK-së, FSHB-së dhe drejtuesve të Ligës Unike.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.