Basketboll

TREPÇA E ARRIN GJYSMËFINALEN E SUPERKUPËS

Trepça ka mundur Rahovecin me shifrat 71:75 (17:14, 20:22, 16:22, 18:17), për të kaluar në gjysmëfinale të Superkupës.

Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjera, por po arritur të shkëputeshin në rezultat, ku çereku i parë përfundon 17:14 në të mirë të Vreshtarëve. Edhe perioda e dytë ishte mjaft interesante, me mitrovicasit që arritën epërsi deri në dhjetë pikë, 22:32, por rahovecasit nuk u dorëzuan dhe shkrinë epërsinë e kaluan në epërsi 37:36, sa përfundoi pjesa e parë.

‘Xehetarët’ vazhduan me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, me epërsi deri në tetë pikë, 50:58, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 53:58. Kjo bëri që 10 minutat e fundit të ishin shumë interesant. Rahoveci ngushtoi shifrat në 65:66, tre minuta nga fundi, e më pas barazoi rezultatin në 68:68.

Ndeshje dramatike u zhvillua deri në fund, ku më të përqendruar ishin mitrovicasit dhe triumfuan me shifrat 71:75.

Trepça në gjysmëfinale do të ndeshet me fituesin e ndeshjes Golden Eagle Ylli-Bashkimi, që zhvillohet nga ora 19:00.

/FBK/

 

Komentet janë të mbyllura.