Basketboll

VIDEO LAJM (LIGA UNIKE NË ASIST): PRIZRENI 16 DHE KAMZA ME RIKTHIME FANTASTIKE

(Asistionline) – Kamza ka filluar me sukses edicionin e dytë të Ligës Unike duke e fituar trilerin fantastik ndaj Prizrenit-16 me rezultat 96:91.

Ndeshja kishte rrjedh shumë interesante dhe të çuditshme pasi vendasit ishin fantastik në çerekët tek, atë të parin dhe të tretin ndërsa mysafirët vazhdimisht kundërpërgjigjeshin në çerekët çift. Fillimisht, djelmoshat e Eni Llazanit përmbysën epërsinë maksimale prej 8 pikëve në çerekun e dytë kur, pas kësaj dysheje të Urimit, semafori tregonte 43-35 në favor të Prizrenit-16 ndërsa kishin mbetur edhe 4 minuta e 44 sekonda lojë në pjesën e parë. Mirëpo 18 vjeçi Alimani (nr.13) me treshene tij e nisi serinë e stuhishme të mysafirëve prej 14 me 2. Ishin kapiteni Thano (45-46) dhe Edwards (45-49) ata që me dy treshe rresht përmbyllen serinë atomike të Kamzës përmes të cilës, në  vetëm 2 minuta e 20 sekonda lojë, minusin prej 8 pikëve e kthyen në plus 4.

NOKAUT PËR VENDAS: MINUS 10 SHNDËRROHET NË PLUS 5

kur pas gjuajtjeve të lira të Fellsit (79:70 dhe 80-70) ndërsa kishin mbetur më pak se 8 minuta lojë, prizrenasit krijuan avantazh prej 10 pikëve megjithatë, sërish erdhi përgjigja e stuhishme e mysafirëve të cilët kësaj radhe, minus dhjetëshin e shndërruan në plus 5.

Për vetëm 4 minuta e 20 sekonda, të udhëhequr nga tandemi fenomenal Thano – Eldridge, Kamza rezultatin 80:70 në favor të vendasve e shndërruan në 83:85. Kapiteni Niko Thano (nr.9) fillimisht me dy treshe zbuti avantazhin në 80:76 e më pas barazoi në 83-83 dhe më pas edhe qendra Mattheë Eldridge (nr.33) me treshen e tij për 83:88, thjeshtë thënë, nokautuan prizrenasit.

Prezrenasit tentuan të rikthehen edhe një herë përmes tresheve të Koljeviqit (86-88) dhe më pas të Courtney Fellsit i cili 1 minutë e 30 sekonda pa përfunduar ndeshja afroi rezultatin në minimum 89:90.

Drama e madhe dhe beteja kosh për kosh vazhdoi dhe kur kishin mbetur 39 sekonda lojë, Trevor Manuel në asistim të Arti Hajdarit sërish afroi rezultatin në 91:93  por goditjen vendimtare dhe rezultatin final e përcaktoi Gerard Davis me treshen e tij për 96 me 91.

Pa asnjë dyshim, arsyeja e disfatës së Prizenit ishte përqindja katastrofale për tri pikë dhe gati 30 treshe të huqura. Besoni apo jo, nga 41 tentime, prizrenasit realizuan vetëm 13 trepikësha ndërsa heroi i skuadrës në duelet paraprake, Courtney Fells në kte duel nuk ishte i disponuar dhe nga 14 gjuajtje për treshe huqi 10 sosh

 

E TRETA E VËRTETA, TRESHJA VENDIMTARE DAVISIT SOLLI FITOREN

Nga ana tjetër pamë të kundërtën , Kamza kishte efikasitet fenomenal dhe lojtarët e saj qëlluan 50% të tentimeve apo 11 treshe nga 22 tentime ndërsa më e rëndësishmja ishte ajo në sekondat e fundit e Gerard Davisit (nr.3) i cili paraprakisht kishte huq dy tentime por kjo e treta ishte e vërteta dhe solli fitoren.

Në këtë suskes të mysafirëve komplet pesëshja startuese realizoi pikë dyshifrore ndërsa më i miri dhe MVP i ndeshjes ishte qendra Matthew Eldridge (nr.33) me dyshifror të dyfishtë prej 23 pikëve e 11 kërcimeve. Njeriu vendimtar Gerard Davis (3) luajti me 21 pikë e 5 asistime dhe shfaqje fenomenale pati kapiteni Niko Thano (9) me 17 pikë, prej tyre 4 treshe. Plejmejkeri Reece Brooks (4) ishte gjithashtu në nivel të detyrës me 16 pikë e 6 asistime kurse pesëshen e lojtarëve të Kamzës që realizuan pikë dyshifrore e përmbylli alo fantastike Abrian Edwards i cili përpak nuk kompletoi shifrat magjike triple double pasi luajti me 14 pikë, 9 kërcime e 8 asistime.

Për këtë lojë të lojtarëve të tij, trajneri i Kamzës, Eni Llazani, u shpreh i lumtur dhe theksoi se momenti kryesor ka qenë ndërrimi i gabueshëm i lojtarëve me tre lojtarë të gjatë në pesëshe. (deklarata komplete në video)

ENI LLAZANI – TRAJNER I KAMZA BASKETIT

Nga ana tjetër, lojtari më i dobishëm i Prizrenit 16 ishte gjiganti Urim Zenelaj i cili ka kompletuar double double prej 14 pikëve e 11 kërcimeve duke shtuar edhe 4 asistime dhe 2 bllokada ndërsa koshashënuesi më i mirë i skuadrës edhe një herë ishte ish-anëtari i San Antonio Spurs, Courtney Fells me 20 pikë, 5 kërcime e 6 asistime megjithatë, duhet theksuar se në kte duel huqi 10 treshe dhe nuk ishte i disponuar si zakonisht. Plejmejkeri Ivan Koljevici pati edhe një lojë të mirë dhe përpak sa nuk kompletoi double double duke realizuar 18 pikë e 9 asistime por të pamjaftueshme për të startuar me sukses në Ligën Unike.

Për këtë disfatë, trajneri i Prizrenit 16 Arbnor Rifati nuk ishte aspak i lumtur dhe kritikoi qasjen e lojtarëve të  tij.(deklarata komplete në video)

TRAJNERI I PRIZRENIT 16 – ARBNOR RIFATI

Ndeshjen e radhës, Prizreni 16 do të jetë mysafir i Tiranës ndërsa Kamza e pret Vllazninë.

VIDEO RAPORTI 

 

Komentet janë të mbyllura.