Basketboll

TREPÇA NË GJYSMËFINALE TË ”PLAY OFF”-IT, RAHOVECI MBETET NË ”PLAY OUT”

Trepça e ka mundur Rahovecin me rezultat 94:70 (28:13, 13:13, 33:23, 20:21), në xhiron e 28-të apo të fundit për garat e rregullta të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Me këtë fitore mitrovicasit siguruan vendin e dytë në renditje, që i siguron gjysmëfinalen e “Play-off”-it, kurse rahovecasit përfunduan garat në vendin e shtatë, duke përfunduar në “Play-out”, ku do të përballet me Prishtinën e Re.

Vendasit e nisën për mrekulli ndeshjen, me një seri prej 14:4 dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishin në epërsi, madje duke e shtuar dhe fituar këtë pjesë 28:13. Vreshtarët e nisën më mirë periudhën e dytë, për të ngushtuar rezultatin në 29:24, megjithatë mitrovicasit sërish shkëputen dhe shkuan në pushim me rezultat 41:26.

‘Xehetarët’ ishin më të motivuar, pasi e kërkonin e pozitën e dytë në renditje, kurse e kundërta ishin me Vreshtarët që nuk kishin gjasa për “Play-off”. Kjo bëri që vendasit të shtojnë epërsinë në periudhën e tretë, që përfundoi 33:23, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 74:49. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë e barabartë, ndërsa Trepça fitoi në fund me rezultat 94:70.

Te vendasit u dalluan Amin Hot me 14 pikë, shtatë kërcime e tetë asistime dhe Drilon Hajrizi me 21 pikë e gjashtë kërcime, kurse te mysafirët u dallua Fisnik Rugova me 19 pikë.

Trepça përfundoi garat e rregullta me 19 fitore e nëntë humbje, kurse Rahoveci me 11 fitore e 17 humbje.

Komentet janë të mbyllura.