Basketboll

TREPÇA E FITON DERBIN MARATONIK NDAJ PEJËS, I AFROHET FINALES SË MADHE

Prishtinë(AsistiOnline) – Përballja e dytë gjysmëfinale e ArtMotion Superligës së Kosovës i ka takuar Trepçës që e ka mposhtur sonte në ”Minatori” Pejën.

Në një super-spektakël nga të dyja tifozëritë e ekipeve, Trepça ka arritur që me shumë mund të sigurojë fitoren e dytë rresht të serisë gjysmëfinale ndaj Pejës me shifrat e ngushta 107-105.

Peja e nisi çerekun e parë pak më mirë duke e fituar minimalisht atë 21-22, derisa në të dytin Trepça u këndell me lojë të mirë dhe përveçse e fitoi 25-15, shkoi edhe në pushim me 9 pikë avantazh 46-37.

Në pjesën e dytë vazhdoi spektakli dhe loja e ngushtë ku Peja e filloi identik si në pjesën e parë duke e fituar çerekun e tretë me 1 pikë dallim 13-14, derisa edhe në periodën e fundit pejanët arritën të jenë më të mirë 25-33, por jo mjaftueshëm sa për fitore, por që e dërguan ndeshjen në vazhdime, në fakt avantazhi ishte në anën e tyre, por qendra Mike Edwards u bë hero i takimit me një treshe në sekondën e fundit, duke e dërguar Trepçën në vazhdime (84-84).

Në vazhdimin e parë, Trepça e kishte avantazhin pak para fundit, por Dardan Berisha në 10 sekondat e fundit u tregua i saktë me një treshe, duke e dërguar sfidën në vazhdimin e dytë (95-95).

Në vazhdimin e dytë, skuadrat ishin shumë të hendikepuara e sidomos skuadra e Trepçës sepse shumica e lojtarëve kryesorë kishin lënë parketin me nga 5 personale, por kjo nuk e pengoi ekipin e Trepçës me Rodney Purvisin në krye i cili falë treshes 32 sekonda para vazhdimit të fundit, siguroi fitoren e madhe dhe të shumëkërkuar për ”minatorët”.

Pikërisht, Rodney Purvis ishte atuja kryesore e Trepçës në këtë fitore sonte me plotë 36 pikë, 8 kërcime, 5 asiste e 1 vjedhje topi, derisa u ndihmua edhe nga Andrew Gordon me 22 pikë, Mike Edwards me 13 dhe Ty Cockfield me 12 sosh.

Te Peja, Dardan Berisha me plotë 39 pikë dhe Courtney Fells me 30 sosh, nuk mjaftuan për një fitore eventuale.

Trepça tash e merr avantazhin e serisë gjysmëfinale në 2-0 dhe i duhet vetëm edhe një triumf për të arritur finalen.

Sfida e tretë zhvillohet në Palestrën ”Karagaçi” gjatë vikendit.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.