Trepça e mban fjalën, identifikon nxitësit e dhunës në ”Minatori” dhe publikon pamjet në faqen zyrtare
Prishtinë(AsistiOnline) – Klubi i Trepçës e ka mbajtur fjalën e dhënë, rreth personave që hedhin gjësende në parket dhe nxisin akte dhune në ndeshjet e tyre.
Në faqen zyrtare të klubit, sonte është publikuar video e një momenti kur një nga shikuesit e pranishëm në sallë, hedh një mjet në parket në drejtim të zyrtarëve të ndeshjes e sipas njoftimit të klubit, personi në fjalë dhe individët që vepruan si ky, tashmë janë identifikuar.
Edhe pse është i njohur me emër dhe mbiemër, në njoftimin e klubit shkruan se kësaj radhe identiteti i tij nuk do të zbulohet, por lëshime në rastet e tjera, nuk do të ketë, por që natyrisht që ky rast dhe të tjerat si ky, në polici do të drejtohen patjetër.
Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje i klubit mitrovicas:
”Pas instalimit të kamerave ne palestren tonë, kemi idenifiku disa përsona qe kan hudhë gjësende në parket. Në videon e mëposhtme është personi i parë i cili ka hudhë në ndeshjen e fundit, qe për klubin është i njoftur me emer dhe mbiemer, por kësaj rradhe nuk po e publikojmë. Emri i përsonit në fjalë dhe të tjerëve do të dërgohet në polici. Nga tipa të tillë, qe në numër janë shumë pak, klubi po dëmtohet shumë”, shkruan në njoftim.
Klubi i Trepçës, është i pari në Superligën e Kosovës që merr një vendim të tillë, për vendosjen e kamerave dhe zbulimin e nxitësve të incidenteve në ”Minatori”, duke i publikuar veprimet e tyre direkt në faqen zyrtare.
Ishte kryetari i Trepçës, Vullnet Sefaja ishte ai i cili në episodin e 512-të në ASIST, kishte premtuar publikisht se do të vendosen kamerat në ”Minatori” dhe secili që gjuan dhe shihet në kamerë duke vepruar në kundërshtim me rregullat, foto apo video e parë e aktit, do të publikohet në faqen zyrtare të klubit dhe do t’ju shpërndahet mediave.
E tash, kur jemi afro 1 muaj pas kësaj deklarate, kreu i klubit mitrovicas e mbajti fjalën e dhënë publikisht, duke postuar në faqen zyrtare të klubit, videon e personit që ka hedhur gjësend në parket, gjatë duelit me Sigal Prishtinën.
Të kujtojmë se pas ndeshjeve të Superkupës së Kosovës që sivjet u zhvillua në Prishtinë dhe pati incidente të shumta në finale, Ministri i Sportit, Hajrullah Ceku, ka paralajmëruar se shumë shpejtë të gjitha palestrat kosovare do të kompletohen me kamera të rezolucionit të lartë, për ti minimizuar e ndoshta edhe eliminuar krejtësisht këto probleme në palestrat kosovare.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.