Basketboll

Zhvillime te Rahoveci: Bordi i klubit jep dorëheqje, e ardhmja e klubit në pikëpyetje

Prishtinë(AsistiOnline) – Zhvillime të reja te klubi i Rahovecit që sivjet ra nga Superliga.

‘Vreshtarët’ kanë mbetur pa strukturë drejtuese, pasi siç ka mësuar AsistiOnline.com komplet bordi i klubit ka dhënë dorëheqje.

Drejtuesit e deritanishëm të klubit mësohet se kanë liruar pozitat që mbanin, për të kërkuar njerëz të rinj që do ta merrnin përsipër Rahovecin, megjithatë gjasat për një gjë të tillë nuk janë shumë premtuese.

Në versionin më të keq e ardhmja e Rahovecit është në pikëpyetje të madhe, pasi interesimi për të marrë drejtimin e klubit, mësohet se është i vogël dhe kësisoj Rahovecin në stinorin e ri mund që mos e shohim fare as në garat e Ligës së parë.

Sipas informatave nga Rahoveci, tash po përgatitet mbajtja e Kuvendit të klubit në kërkim të drejtuesve të rinj. Burimet nga Rahoveci kanë thënë se sponsorët besnikë të klubit ndër vite, do të vazhdojnë të ndihmojnë pavarësisht se kush do të marrë drejtimin e klubit, apo nivelin e garave.

Po të njëjtat burime kanë konfirmuar se klubi i Rahovecit është paraqitur për regjistrim në afatet kohore të FBK-së, porse gjasat për të marrë pjesë në gara nëse nuk gjenden drejtues të rinj, janë minimale apo zero dhe klubi mund të shkojë drejt shuarjes.

Të kujtojmë se Rahoveci sivjet ra nga garat elitare kosovare, derisa arritjen më të madhe sezonale e kishte kalimin në gjysmëfinale të Kupës, ku kishte arritur senzacion me mposhtjen e Pejës.

Mbetet të shihet se cilat do të jenë zhvillimet në klubin e Rahovecit që për vite me radhë ka qenë hijeshi dhe befasi e këndshme me rivalitet në Superligën e Kosovës. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.