Basketboll

Nikoqiri i Superkupës me Vëllaznimin, dueli i fundit çerekfinal sonte

Prishtinë(AsistiOnline) – Sonte luhet edhe dueli i fundit çerekfinal i Superkupës në konkurrencën e meshkujve.

Nikoqiri i turneut, Golden Eagle Ylli do ti bëjë konakun Vëllaznimit të Gjakovës. Me dy ekipet që hyjnë në duelin e sontëm me ndryshime të shumta.

Në rradhët e kuqezinjëve sivjet do të luajnë lojtarët vendorë të transferuar si Bardh Rexha, Ardit Pepaj, Ergin Grosha, Jon Ukaj e Donat Rexhepi, si dhe deri tani janë shtuar edhe tre të huaj. Në ekip nga edicioni i kaluar kanë mbetur, Atik Koshi, Don Polloshka, Rron Dahsyla, Shendrit Llapi e Burim Zekiqi. Ekipin sivjet do ta drejtojë ish-trajneri i Bashkimit në stinorin e kaluar, Audrius Prakuraitis, derisa Josip Plantak do ti asistojë si ndihmës.

Tek dy herë kampioni i Kosovës, Golden Eagle Ylli, ka pasur poashtu ndryshime të shumta, por që kanë mbetur Valon Bunjaku e Gëzim Morina të cilët vazhduan kontratat së bashku edhe me të huajt, Henrik Shirko e Chris Harris. Derisa, janë transferuar Etnik Peci, Arbër Berisha, Besnik Bekteshi, Rezart Mehmedi, Jan Palokaj dhe është rikthyer pas një kohe të gjatë edhe Artin Gashi. Nga të huajt, Ylli ka transferuar edhe dy lojtarë të rinj. Derisa, ekipin sivjet do ta drejtojë greku Kostas Flevarakis.

Ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe Vëllaznimit, nis nga ora 20:00 dhe transmetohet direkt në Sport1/ Artmotion dhe platformat e tjera televizive vendore, por edhe në NimiTv.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.