Basketboll

Skandaloze: Në ndeshjen e FIBA Europe Cup, tifozët e ekipit qipriot shfaqin hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb

Prishtinë(AsistiOnline) – Një ngjarje skandaloze ka ndodhur sonte në Kormend të Hungarisë.

Atje është zhvilluar sfida e vlefshme për kualifikimet e FIBA Europe Cup, mes ekipit të Kormendit dhe Anorthosis nga Qipro, ku në fund triumfoi ekipi hungarez me rezultat 91-87.

Tifozët e skuadrës qipriote, paturpësisht siç edhe mund të shihet nga fotografitë, gjatë tërë ndeshjes kanë mbajtur lartë hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, shkruan AsistiOnline.com

Sigurisht që kompeticioni evropian në fjalë, por edhe shtëpia kryesore e basketbollit në botë, FIBA duhet ta dënojë këtë akt të shëmtuar, i cili nuk është se po ndodh sot për herë të parë, por edhe në ndeshjet e skuadrës serbe, C.Zvezda në Euroligë, por edhe në ndeshje e kompeticione tjera.

FIBA dhe kompeticionet e tjera evropiane, shumë mirë e dinë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran e i pranuar nga shtetet më të fuqishme në botë dhe se është pranuar edhe nga FIBA Evropa e FIBA Bota, andaj duhet të reagohet.

Për një gjë të tillë duhet të reagojë edhe Federata e Basketbollit të Kosovës, aq më tepër kur dy drejtuesit e saj tashmë kanë poste të rëndësishme në FIBA, me kryetarin Arben Fetahu që mban postin e anëtarit të FIBA-s dhe sekretarja Elvira Dushku që është anëtare e Komisionit të FIBA 3×3.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.