Basketboll

Vëllaznimi fantastik në Gjakovë, njofton Pejën me humbje

Prishtinë(AsistiOnline) – Vëllaznimi i Gjakovës e ka arritur sonte fitoren e katërt rresht në Superligën e Kosovës.

Gjakovarët fituan me rezultat 100-99, por vetëm pas vazhdimeve pasi koha e rregullt ishte mbyllur 90-90.

Vendasit të motivuar nga tifozët e nisën më mirë ndeshjen, me epërsi prej 17:11, por pejanët u rikthyen shpejt për të barazuar shifrat, ku deri në fund të çerekut të parë ishte lojë e barabartë, duke përfunduar 27:28. Megjithatë, në periudhën e dytë verdhezinjtë filluan shkëputjen, duke pasur epërsi deri në 13 pikë, 41:54, derisa pjesa e parë përfundoi 46:56.

Por, kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe arritën të rikthehen për të barazuar rezultatin dy herë në 65:65 e 70:70, kurse rezultati pas 30 minutash ishte 72:77. Por, në çerekut e katërt u zhvillua një dramë e vërtetë, ku në fund Malcolm Armstead shënoi dy pikë për 90:90, duke e dërguar ndeshjen në vazhdime. Edhe në vazhdime ishte sfidë shumë interesante, por kësaj radhe vendasit ishin më të vëmendshëm dhe detajet e vogla vendosën fituesin që përfundoi 100:99.

Te Vëllaznimi, Sammuel Sessoms kishte 30 pikë, tetë kërcime e tetë asistime dhe Jalen Ray 29 pikë e shtatë kërcime, ndërsa te Peja u dalluan Jacob Calloway me 29 pikë e gjashtë kërcime dhe Justin Davis me 21 pikë e nëntë kërcime.

Komentet janë të mbyllura.