Basketboll

Sukseset e mëdha të KBF Bashkimit nën drejtimin e trajnerit Kovaç

Pak fjalë e shumë punë, ky është përshkrimi më i mirë që mund ti bëhet trajnerit nga Kroacia, Viktor Kovaq. Përkushtimi i tij i madh në stërvitje dhe ndeshje, ka bërë që Kovaq të shijojë një periudhë fantastike në krye të KBF Bashkimit nga Prizreni. Edicionin e shkuar, suksesi i tij ishte historik për skuadrën e Bashkimit.

Ai me basketbollistet e tij, fituan “tripletën” duke triumfuar në kampionat, kupë dhe Superkupë të Kosovës. Pas këtij suksesi të madh, Kovaq ka vazhduar punën e tij te Bashkimi dhe edicionin e ka nisur duke e mbrojtur trofeun e Superkupës së Kosovës. Ky ishte trofeu i katërt i Bashkimit brenda 12-të muajve nën drejtimin e trajnerit me përvojë të madhe.

“Edicionin e kaluar, Bashkimi pati besim në mua dhe në patëm një edicion fantastik. Kështu që, besimin e klubit që e pati në mua kam dashur t’ia kthej edhe këtë edicion, sigurisht me idenë që të tentojmë ta përmirësojmë edhe më shumë lojën tonë në krahasim me edicionin e shkuar”, ka thënë Kovaq për Kohën.

Ai pranon se kur pranoi ofertën e Bashkimit në gusht të vitit 2022 nuk e kishte idenë se çfarë e priste në Kosovë. Megjithatë, shton se duke pasur parasysh mentalitetin e tij fitues, që e ka përcjellë gjatë gjithë karrierës, doli se ardhja në Kosovë ishte vendim i qëlluar.

“Gjatë gjithë karrierës sime, jam munduar ta fitoj çdo ndeshje të arrij rezultate maksimale me ekipin që e kam drejtuar dhe me këtë synim erdha edhe te Bashkimi. Nuk e kam ditur se çka më priste në edicionin tim të parë në Kosovë, por erdha për të arritur rezultatet më të mira të mundshme dhe së bashku ia dolëm mbanë”, shtoi Kovaq.

Thotë se suksesi i deritashëm nuk do të arrihej pa ndihmën e madhe të kryesisë së klubit, angazhimin e lojtareve dhe përkrahjes së tifozëve. Në fakt, krahas tripletës edicionin e shkuar, Bashkimi doli i dyti në Superkupën Mbarëshqiptare dhe i treti në Ligën Unike.

“Angazhimi i madh i kryesisë, lojtareve dhe përkrahja e tifozëve ishin vendimtare në sukseset tona. Mund të them se edicionin e shkuar kemi bërë një rezultat fantastik, i cili ishte edhe sezoni më i mirë në histori të klubit, ku i kemi marrë pesë medalje në po aq gara. Fituam tri medalje të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë. Pra, edhe pse nuk e dija se çfarë mund të pres në edicionin tim të parë te Bashkimi, e kam ditur se mund të punojmë mirë dhe falë punës kanë ardhur edhe rezultatet”, shtoi Kovaq.

Edhe këtë edicion, Kovaq pranon se Bashkimi ka të njëjtat synime sikurse edicionin e shkuar, por pranon se nuk do të jetë lehtë. Po ashtu, ai nuk ka dëshirë të bëjë ndonjë parashikim se si do të përfundojë edicioni dhe për këtë arsye thotë se së bashku me basketbollistet e tij, janë të fokusuar në punë dhe gjërat do t’i marrin ndeshje pas ndeshjeje.

“E përsëriti se ne çdo garë që luajmë, përpiqemi të fitojmë secilën ndeshje, nganjëherë ia dalim mbanë e nganjëherë nuk ia dalim, por ne nuk dorëzohemi dhe vazhdojmë të punojmë. Në çdo stërvitje dhe ndeshje mundohemi të përmirësohemi dhe nëse punojmë mirë, besoj se do te vijnë edhe rezultatet. Vështirë është të prognozoj se di do të përfundoj edicioni, pasi si në kampionat ashtu edhe Ligen Unike ka shumë ekipe të forta”, insistoi Kovaq.

Ai pranon se në Kosovë, veçanërisht në Prizren po ndihet mirë. Thotë se të gjithë e kanë mirëpritur dhe çdo ditë po i japin përkrahje për të vazhduar me punën e mirë. Duke pasur parasysh këtë dhe përkrahjen e klubit, trajnerit kroat nuk i mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojë me punën e tij.

“Në Kosovë më kanë pritur shumë mirë, më duhet të them se njerëzit në Prizren janë fantastik, po ashtu ka edhe prej atyre që duan basketbollin e femrave dhe më japin përkrahje. Më vjen keq që nuk kemi mundur të sjellim edhe më shumë tifozë në palestër por do të angazhohemi edhe në këtë aspekt. Të gjithë njerëzit në klub po ndihmojnë shumë, sidomos kryetari Rrahman Përteshi që po e bën të pamundurën që Bashkimi të funksionojë”, deklaroi ai.

Para ardhjes në Kosovë, Kovaq ka punuar kryesisht në Kroaci, ku ka udhëhequr shumë klube të basketbollisteve dhe ishte përzgjedhës i ekipit U20 dhe ekipit A kroat. Për një periudhë ka punuar edhe në Rumani, ndërsa ka drejtuar edhe klube të basketbollistëve. Prej vitit 1985 është në zejen e trajnerit, të cilën po vazhdon ta bëjë me pasionin më të madh, por tani te Bashkimi i Prizrenit. /Koha.net/

Komentet janë të mbyllura.