Basketboll

A po i shfrytëzon Kosova si duhet natyralizimet? shumica e shteteve po përfitojnë shumë

Prishtinë(AsistiOnline) – Kosova sot e zhvilloi ndeshjen e dytë në parakualifikimet për Botërorin 2027.

Ekipi ynë nuk ia doli dhe u mposht nga Azerbejxhani me 10 pikë dallim 87-77.

Në këto dy ndeshje të para parakualifikuese, Kosova nuk e pati ndihmën e lojtarit të natyralizuar së fundmi, Dominic Artis i cili sipas njoftimit të FBK-së ka qenë i lënduar dhe kjo ka qenë arsyeja e mungesës, transmeton AsistiOnline.com

Natyrisht që lëndimet janë çështje që nuk përcaktohet ose varen nga federata dhe lojtari, por duhet të paramendohen të gjitha skenaret, sepse Kosova i ka natyralizuar më herët edhe pesë lojtarë të tjerë dhe është dashur që të mendohet edhe për ndonjërin nga ta që mund të ketë qenë në dispozicion eventual, pse jo…

Siç edhe dihet, Kosova ka natyralizuar të huaj edhe para Dominic Artis dhe ky lojtar është i gjashti që shteti ynë i ka dhënë pasaportën edhe pse asnjërit nuk është që ia kemi parë hajrin, pasi i kanë shërbyer shumë pak ekipit kombëtar, për të mos thënë fare.

Natyralizimi i fundit i Kosovës, Dominic Artis sivjet po luan në Superligën e Turqisë me ekipin e Çagdas Bodrumspor me një mesatare prej 13.1 pikëve, 3.3 kërcime e 3.5 asiste për ndeshje

Shumë shtete në Evropë dhe botë po e shfrytëzojnë rastin e natyralizimit të një lojtari të huaj dhe shumë prej tyre edhe po i’a shohin hajrin.

Jo më larg se kundërshtari i sotëm i Kosovës, Azerbejxhani ka pasur në listë dy natyralizime të cilat i ka afruar gjatë verës dhe atë nivel i lartë i basketbollit, lojtarë që kanë karrierë të bujshme në ekipet më me renome të Evropës, Zach Leday i Partizanit që luan në Euroligë dhe Donta Hall i Monacos që poashtu luan në Euroligë e në fitoren ndaj Kosovës pikërisht Hall ishte ndoshta arma kryesore me shumë pikë e kërcime.

Shtrohet pyetja se çka duhet të natyralizojë Kosova dhe se a duhet të vendosë kushte kontraktuale që lojtari që fiton pasaportën e Kosovës ta respektojë shtetin dhe të vije në grumbullime sa herë që kemi nevojë për të? natyrisht që po dhe duhet të veprohet seriozisht në këtë drejtim duke u marrë masa adekuate siç bëjnë shtetet në rajon, shkruan AsistiOnline.com

Natyralizimi i lojtarëve të huaj ndodh edhe tek Kombëtare të mëdha në botë dhe nuk është ndonjë paradoks, por thjesht duhet të analizohet mirë e mirë se çka duhet të afrohet dhe të përgjigjet për atë të cilën është deleguar.

Rast edhe më i freskët i natyralizimeve sonte është ai i Bullgarisë, Codi Miller-McIntyre i cili sonte ishte lojtar kyç në fitoren e madhe të tyre ndaj kampiones aktuale të Botës, Gjermanisë, me 23 pikë, 5 kërcime e 4 asiste. McIntyre me ekip luan te skuadra e madhe spanjolle Baskonia me të cilën po shkëlqen edhe në Euroligë.

Natyralizime ka bërë edhe kundërshtari i Shqipërisë sot, Armenia që ka afruar lojtarin e Valencias nga Euroliga, Chris Jones i cili luan në pesëshe startuese me ekipin apo edhe lojtarin tjetër nga EuroCup, Steve Enoch të cilin e ka regjistruar edhe për këto parakualifikime dhe po e lë rezervë për çdo rast.

Apo edhe natyralizimi i Malit të Zi, shtet ky i cili edhe pse ka lojtarë me ‘bollëk’ në të gjitha pozitat, ka afruar në rradhët e veta organizatorin, Kendrick Perry i cili luan me Unicajan në ligën e fuqishme spanjolle.

Mund të hasim në raste të pafundme të natyralizimeve nga shtetet, por ajo që ka rëndësi është kualiteti apo niveli i lojtarëve që shtetet ju japin pasaportat dhe kërkojnë përfaqësim dinjitoz.

Ajo që duhet të theksohet është fakti se drejtuesit e FBK-së së bashku me selektorin Rami Hadar, duhet të bëjnë një plan të fuqishëm dhe shumë aplikativ për ndeshjet e rradhës parakualifikuese nëse duam që ta fitojmë këtë grup dhe të ecim tutje. Ky është momenti, andaj duhet të reflektojmë. /AsistiOnline.com/

Çështjen e natyralizimeve te Kosova, AsistiOnline.com e ka hapur edhe vite më herët për të cilin artikull ju ftojmë ta lexoni mëposhtë:

NATYRALIZIMET E KOSOVËS

 

 

 

Komentet janë të mbyllura.