TALENTI KOSOVAR QË PO NGRITET NË SHBA
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë disa basketbollistë/e nga Kosova që po luajnë me sukses.
Njëri ndër ta është edhe Etnik Peci, i cili sapo ka mbushur 21 vjet.
Peci është zgjedhur më i mirë në GardenStateConferenceAthletics (GSAC). Basketbollisti nga Kosova është lojtari kyç në EssexCountyCollege.
Në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së, ai ka folur për edicionin e suksesshëm që kishte. “Ky edicion ka qenë njëri nga më të suksesshmit që kam pasur në karrierë. Sezonin e kemi përfunduar me 20 fitore dhe shtatë humbje. Trofeu i parë që kemi fituar ka qenë GardenStateAthleticConference (GSAC), ku jam zgjedhur Lojtari i Vitit dhe kam hyrë në ekipin më të mirë të GSAC. Pastaj kemi shkuar në ‘Final-Four’ të Region 19. Kemi fituar edhe në këtë turne, ku lojtari më i mirë është zgjedhur nga skuadra që ka humbur kundër nesh në finale. Sidoqoftë, kam hyrë në ekipin më të mirë të Region 19, pra një nga lojtarët më të mirë të regjionit. Fitimi në këtë turne na ka mundësuar të jemi në “District Final Four”. Kemi fituar në gjysmëfinale, ku kam shënuar 38 pikë dhe e kemi siguruar vendin në NationalChampionshipTournament. Në finale kam shënuar 24 pikë, edhe pse kemi humbur. NationalChampionshipTournament është turneu që i mbledh ekipet më të mira për këtë nivel, por që u anulua, për shkak të virusit”, shprehet Peci, për faqen zyrtare të FBK-së.
Peci gjithashtu është zgjedhur dy herë Lojtari i Javës gjatë sezonit të rregullt.
21-vjeçari ëndërron të veshë fanellën e Kosovës A. “Synimet për të ardhmen janë të vazhdoj të përmirësohem çdo ditë e më shumë e të luaj në Divizionin e Parë. Sigurisht që ëndrra më e madhe dhe që nuk mundesh ta krahasosh me asgjë, është të luash për Kosovën. Jam duke pritur me padurim që të luaj sërish për Kosovën”, shtoi tutje Etnik Peci, i cili ka luajtur për grupmoshat e Kosovës.
Mesazhi i tij për fund ishte që të gjithë të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë rregullat, në këtë kohë kur bota po përballet me pandeminë Covid-19. /FBK
Komentet janë të mbyllura.