Basketboll

EKSKLUZIVE: RETRO ASIST – ALEKSANDRIA 2005 [VIDEO]

Debutimi i suksesshëm i basketbollit kosovar në arenën ndërkombëtare

(AsistiOnline) – 15 vite më parë, në kohën kur Kosova po synonte ndërkombëtarizimin dhe pranimin në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) luftonte për të siguruar çfarëdo ftese për pjesëmarrje në turne ndërkombëtar me ekipin përfaqësues.

Hiç tri përballjet kundër kombëtares së Shqipërisë, që nuk i konsideronim përballje ndërkombëtare, përfaqësuesja e Kosovës në 6 vitet e para të pasluftës nuk kishte pasur asnjë lojë.    

Në verën e 2005-tës, FBK-së i erdhi ftesa për të udhëtuar në Egjiptin e largët dhe për të marr pjesë në turneun ndërkombëtar në Aleksandri ku do të luante me Rumaninë dhe Egjiptin. ASISTI ishte në vendin e ngjarjës dhe raportoi për debutimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe gjithë atë që ndodhi në tokën e Faraonëve, duke prodhuar një prej emisioneve më speciale: ALEKSANDRIA 2005.

Ndërkohë, kaluan 15 vite dhe Kosova u pranua në FIBA.

 

Dardanët filluan të garojnë në gara evropiane qoftë në nivel të klubeve apo përfaqësueseve por disi e harruam rrugën e vështirë dhe përplot pengesa drejt pranimit në familjen botërore të basketbollit dhe heronjtë e asaj kohe

Prandaj, duke e rishfaqur RETRO ASISTIN – ALEKSANDRIA 2005, po e kthejmë kohën 15 vite prapa dhe po ju prezantojmë udhëtimin drejt Egjiptit të largët ku Kosova shkoi për të marr pjesë për herë të parë në histori të basketbollit pavarur, në një turne ndërkombëtar. Ishte ky një udhëtim triumfal ku Kosova mposhti kampionen e Afrikës atëbotë dhe njërën ndër top 25 kombëtaret botërore.

Duke e shikuar emisionin, do t’i rikujtojmë lojërat fantastike të 10-shes së paharrueshme: Valdet Grapci, Samir Shaptahoviqi, Mujo Thaqi, Artan Mehmeti, Florian Miftari, Edmond Azemi, Edis Kuraja, Ersid Luca, Naim Haxha  dhe atëbotë të rinjtë Granit Rugova dhe Blerim Mazreku. Kjo përfaqësuese historike ishte e udhëhequr nga tandemi i trajnerëve që debutuan me sukses në arenën ndërkombëtare: selektori Bujar Loci dhe ndihmësi i tij Mark Rodiqi. Kryetar i FBK-së atëbotë ishte Belul Beqaj kurse Sekretar i Përgjithshëm, Artan Qerkini.

Vetëm për ju adhurues të basketbollit, AsistiOnline sjell episodin e paharrueshëm dhe ekskluziv, Retro Asisti – Aleksandria 2005, udhëtimi triumfal i basketbollit kosovar në vendin e faraonëve.

Rrini n’shpi, qëndroni të shëndosh dhe natyrisht zemrat tuaja le t’i ngroh dashuria për basketboll.

 

Komentet janë të mbyllura.