Basketboll

4 VAZHDIME DHE AFRO 3 ORË PËRBALLJE, PRISHTINA FITON SPEKTAKLIN NDAJ BASHKIMIT

Prishtinë(AsistiOnline) Me plotë 4 palë vazhdime dhe afro 3 orë lojë, ka përfunduar në mënyrë dramatike, përballja super-derbi e xhiros së tetë në Superligën e Kosovës te femrat.
Skuadra e Prishtinës, ka arritur të triumfojë përballë Bashkimit me rezultat shumë të ngushtë, 141-136, dhe atë vetëm pas 4 palë vazhdimeve(88-88, 99-99, 114-114, 128-128), pasi ndeshja assesi të përcaktohej, deri në vazhdimin e katërt.

Sfida nisi shumë më mirë për vashat e Bashkimit që i fituan dy periodat fillestare të ndeshjes(18-25, 18-25) dhe kjo bëri që ekipi prizrenas të shkojë në pushim me rezultat konstant, 36-50. Në pjesën e dytë, sfida në çerekun e tretë u zhvillua më e baraspeshuar, por Bashkimi e fitoi edhe këtë çerek minimalisht, 20-21. Kur u mendua se vashat prizrenase po shkonin drejt fitores, rikthimi i madh i Prishtinës erdhi në periodën e fundit, kur kryeqytetaset e fituan këtë çerek me plotë 15 pikë dallim(32-17)  dhe ndeshja shkoi në vazhdime, që pak kush e besoi(88-88).

Vazhdimet e kësaj ndeshje, ishin edhe më dramatike se koha e rregullt, me të dyja skuadrat që nuk dorëzoheshin dhe 4 palë vazhdimeve, skuadra e Prishtinës, dukej më e freskët e falë edhe daljes së 6 lojtareve të Bashkimit me nga 5 personale, vashat kryeqytetase e shfrytëzuan këtë dhe triumfuan në fund me rezultat të përgjithshëm, 141-136.

Vlen të ceket se kjo ndeshje është e vetmja në historinë e basketbollit kosovar(meshkuj-femra), që përcaktohet pas 4 palë vazhdimeve dhe me të drejtë, do të hyjë në analet e këtij sporti në vendin tonë.

5 lojtare arritën pikë dyshifrore në fitoren e Prishtinës sonte: Enxhi Xhanaj ishte më e dalluara me plotë, 40 pikë, 8 kërcime e plotë 8 topa të vjedhur, Era Shatri me double-double(34pk, 21krc, 6 asiste e 4 topa të vjedhur), Enisa Kamerolli arriti triple-double fantastik(21pk, 11krc, 11ast, 2tvj), Besjana Martinaj pati 17 pikë, 4 kërcime e 4 asiste dhe Irma Konjusha e rikthyer nga lëndimi kontriboi me 10 pikë.

Te Bashkimi s’mjaftuan për fitore: Lejzae Davidson me plotë 49 pikë, 7 kërcime, 6 asiste e 4 vjedhje topash, Arbnore Përçuku me triple-double fantastik(29pk, 16ast, 10krc), Jeta Zeka realizoi, 24 pikë dhe Jaleesa Avery e Marigona Rushiti që shtuan nga 10 sosh.

Pas xhiros së tetë, Prishtina arrin në kuotën e 13 pikëve dhe gjendet në pozitën e tretë me 5 fitore e 3 humbje. Ndërsa, Bashkimi pëson humbjen e parë, karshi 7 fitoreve radhazi, por përkundër humbjes, mbetet në pozitën e parë me 15 pikë, aq sa ka edhe Vëllaznimi, por që prizrenaset kanë koshdiferencë më të mirë.

 

Në xhiron e ardhshme, Bashkimi luan në udhëtim te Kastrioti e Prishtina luan poashtu si mysafire e Penzës.

/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.