Basketboll

FBK-JA APELON TË LIROHEN SA MË SHPEJTË PALESTRAT PËR SPORTISTËT

Prishtinë(AsistiOnline) – Federata e Basketbollit të Kosovës sot ka lëshuar një kërkesë për institucionet shtetërore të Kosovës në ueb faqen zyrtare të saj.

Kjo kërkesë është shumë legjitime dhe ka të bëjë me lirimin e palestrave sportive, për sportistët të cilët tash e një kohë të gjatë nuk po mund ti shfrytëzojnë ato e të gjinden alternativa të tjera për vaksinimin e popullsisë kundër covid-19.

Kërkesa e plotë e FBK-së:

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është e shqetësuar që palestrat sportive në vendin tonë po vazhdojnë të shfrytëzohen për vaksinimin e popullsisë, ndërsa skuadrat e të gjitha kategorive dhe të dyja konkurrencave nuk kanë qasje në to, pavarësisht faktit se ka mbetur vetëm edhe një muaj deri te fillimi i edicionit të ri të garave në basketboll.

Federata e Basketbollit e Kosovës i kupton plotësisht institucionet shëndetësore për vaksinimin e popullsisë dhe gjendjen me pandeminë e Covid-19, megjithatë, kërkon nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Drejtoritë e Shëndetësisë në komunat përkatëse që të organizohen sa më parë në mënyrë që vaksinimi të kryhet nëpër hapësira tjera dhe kështu palestrat sportive t’u kthehen sportistëve.

Federata e Basketbollit e Kosovës ka qenë e para e cila i ka ndërprerë garat për shkak të përhapjes së pandemisë Covid-19 në mars të vitit 2020 dhe ka respektuar në tërësi rregullat deri më tani, por klubet e basketbollit nuk kanë hapësirë tjetër ku të stërviten dhe të përgatiten për edicionin e ri, andaj edhe FBK bën apel që institucionet kompetente të marrin masa dhe të organizohen për tu zhvendosur sa më parë nga palestrat sportive në mënyrë që sportistët t’u kthehen stërvitjeve dhe kështu të fillojnë përgatitjet për edicionin e ri.

Federata e Basketbollit e Kosovës është gjithmonë pro shëndetit të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shpreson që kjo pandemi të mbarojë sa më shpejt”, thuhet në kërkesën e FBK-së të lëshuar sot.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.