MAXHUNI I BINDUR NË SUKSES ME KOSOVËN U-18 [INTERVISTË]
Prishtinë(AsistiOnline) – Basketbollistët e Kosovës U18 po vazhdojnë përgatitjet para FIBA European Challengers, që do të mbahet në Tiranë nga 3 deri më 8 Gusht.
AsistiOnline.com ka realizuar një intervistë me selektorin e kësaj gjenerate premtuese të Kosovës, Bekim Maxhuni i cili është shprehur tejet optimist për suksese.
”Stërvitjet me Kombëtaren U-18 po shkojnë jashtëzakonisht mirë edhe kapacitetet për këtë Evropian, mendoj që kemi mjaftë, shpresoj që do të korrim sukses dhe të tregojmë se edhe ne si shtet kemi mundësi që të arrijmë lartë”.
Pak ditë kanë mbetur deri te fillimi i këtij grupi të Evropianit ku bën pjesë Kosova dhe a është kompletuar rosteri në fakt?
”Si skuadër jemi kompletuar me lojtarë edhe pse kemi disa lëndime të vogla, por nuk e shoh si një shqetësim dhe me të vërtetë shpresoj që kjo gjeneratë do të jetë jashtëzakonisht e mirë. Po besoj që me këtë fond lojtarësh do i’a dalim”, shprehet ai.
Maxhuni thotë se përgatitjet deri tani kanë shkuar shumë mirë, derisa aludon në miqësoret e pakta të ekipit për të parë formën reale të basketbollistëve.
”Stërvitjet kanë vijuar gjatë kësaj faze përgatitore jashtëzakonisht mirë, lojtarët kanë punuar mjaftë. Ndoshta kishim pasur nevojë ti kishim më shumë disa ndeshje miqësore, por ajo që është ne vazhdojmë më tutje dhe me shpresë që do ti korrim të gjitha fitoret”.
Jemi mësuar të shihim basketbollistë të shumë me prejardhje nga Kosova të luajnë në grupmoshat e reja të dardanëve, po me U-18 si qëndron puna kësaj rradhe?
”Sivjet baza kryesore e ekipit janë lojtarë vendorë, por me ardhjen e Albatrit Sylës nga Finlanda, po më duket që jemi kompletuar në të gjitha pozicionet dhe të shikojmë se si do të rrjedhin gjërat. Jemi optimist, sepse ekziston një grup i mirë i lojtarëve”, potencon trajneri prishtinas.
Për fund, trajneri që dikur shkëlqente nëpër palestrat kosovare si basketbollist, tregon synimet dhe ambiciet e Kosovës në këtë turne evropian.
”Synimi kryesor apo ambiciet tona janë që të arrijmë sa më lartë, pra të kualifikohemi në finale dhe shpresoj e besoj. Po pse jo edhe të bëhemi kampionë të këtij evenimenti”, përfundon intervistën Maxhuni.
Sfidën e parë në këtë Evropian, Kosova e ka ndaj Shqipërisë më 3 Gusht, kurse pas dy ditësh përballet me Moldavinë. Dy kombëtaret e para kualifikohen tutje. Varësisht nga rezultatet në grup, më pas do të garohet për pozitat tjera.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.