Basketboll

PEJA SKUADRA ME ORARIN MË TË NGJESHUR SIVJET, DREJTORI SPORTIV TREGON PLANET E TYRE

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Pejës sivjet është prej ekipeve më të përforcuara në basketbollin e Kosovës dhe synon trofetë në të gjitha garat ku do marrë pjesë.

Verdhezinjët kanë pasur një verë të lodhshme, duke punuar për të krijuar një buxhet stabil dhe një ekip që garon për trofe dhe këtë po besojnë se e kanë arritur.

Drejtori sportiv i skuadrës pejane, Arbër Elshani në një intervistë për AsistinOnline ka folur në lidhje me përgatitjet, krijimin e ekipit, garimin në shumë kompeticione, planet për akademinë e Pejës dhe gjëra të tjera në lidhje me klubin.
________________________________________________________________________

”Përgatitjet i kemi filluar pak me vonesë për shkak të disa proceseve me sponsorë, që zgjatën më shumë sesa që kemi pritur. Mendoj se na duhen edhe 2 javë të tjera, për ta arritur përgatitjen e duhur që ne e presim nga ekipa dhe shtabi teknik”.

Peja ka krijuar një skuadër me emra të mëdhenjë në merkato, por sa ishte e vështirë që ata të binden për projektin e Pejës?


”Për ta krijuar një ekipë si kjo, nuk ka qenë aspak e lehtë. Dua të them sinqerisht që me presidentin Fatmir Gashi, sekretarin Gjeneral, Gazmend Pupovcin dhe bordin e klubit, nuk kemi pushuar as edhe një ditë të vetme të verës, vetem e vetëm për ta krijuar këtë ekip. E kemi nisur me Semsettin Bas-in, e kemi ditur se pasi ta marrim atë bashkë me trajnerin do t’i bindim Dardanin, Shoshin, Shirkon si dhe na ka gëzuar rikthimi i Arianit, ardhja e Danielit dhe të tjerëve. Merita në realizimin e projektit ka edhe kryetrajneri Bas”, shprehet Elshani.

Nga ekipet e Kosovës, skuadra e Pejës sivjet do të jetë më e angazhuara nëpër gara, a do të mund t’ia dalin mbanë?

”Është e vërtetë që do të jemi të detyruar të luajmë në tri gara. Por kjo për neve nuk duhet të shihet si një shqetësim, sepse ne kemi përvojën dhe elanin e duhur për t’i kapërcyer pa problem kompeticionet. Të jemi të qartë, BIBl dhe Superligën e Kosovës i synojmë fuqishëm, ndërsa sa i përket Ligës Unike, nuk besoj se do ta kemi ndonjë aspiratë të caktuar. Për neve rëndësi ka fitimi i titullit kampion në Superligën e Kosovës dhe fitimi i Ballkan Ligës”, thotë ai.

Përpos ekipit të parë, drejtuesit e klubit kanë angazhuar edhe një trajner turk që të punojë me gjeneratat e reja, mendoni se mund t’ia arrini qëllimit për të cilin e keni angazhuar?

”Projekti për akademinë e klubit është më i madhi që ka bërë ndonjëherë ndonje ekipë e Kosovës. Ali Cilingir, themeluesi i akademisë së Bursasporit, ka ardhur në Pejë për t’a drejtuar, menagjuar dhe krijuar nga zero akademinë e KB Peja. Mos të harrojmë se akademia e Bursasporit, sot ka lojtarë edhe në top ekipet e Turqisë dhe Euroligë. Drejtori i akademisë së KB Peja, me vendimin e bordit është caktuar z.Arber Gashi, tek i cili e shoh një përkushtim shumë të madh për t’u marrë me fëmijët dhe për t’ju krijuar atyre të gjitha kushtet e nevojshme infrastruktore por edhe organizative që fëmijët më së pari të ndihen si në shtëpinë e tyre e pastaj edhe të zhvillohen, sipas standartit europian. Akademia e Pejës dhe rezultatet e saja do të jenë surprizë në vitin 2025 i’u garantoj”.

Peja sivjet rikthehet për të garuar në Ligën Ballkanike, por pse vendosën për tu rikthyer aty e tregon më së miri drejtori sportiv.

”Arsyeja pse vendosëm të mos i’a kthejmë shpindën Ligës Ballkanike është e thjeshtë. Në vitin 2013, Shay Shtriks dhe Liga Ballkanike kanë qenë të vetmit që na kanë hapur dritaren për të luajtur në arenën ndërkombëtare dhe kur na ka ftuar na ka nderuar. Mos të harrojmë se kur basketbollit të Kosoves i’u pranua kërkesa që klubet tona të luajnë në BIBl në 2013, Kryetar i Federatës ka qenë presidenti ynë i klubit z.Fatmir Gashi. Miqësia e tij me Shay Shtriksin, është e madhe dhe ne e kemi ndjerë obligim të luajmë në atë ligë. Nuk duhet harruar miqët që në kohë të vështirë na hapën derën. Përveç tjerash, BIBL sivjet është më e forta në historinë e saj. Ne duam garë të forte dhe këtë e mundëson Balkan Liga”.

Krejt në fund, ai tregon se cilat janë planet e Pejes për sivjet, por edhe për të ardhmen dhe poashtu se kanë arritur marrëveshje me dy lojtarë të rinjë të huaj.

”Planet e Pejës, sivjet jane të qarta. Duam ta rikthejmë titullin kampion në “Karagaç” dhe për këtë do të japim edhe atomin e fundit. Natyrisht e synojmë Superkupën e ligës mbarëshqiptare, synojme Kupën e shtetit, por titulli kampion në Kosovë dhe BIBL, janë synime nga të cilat nuk tërhiqemi lehtë”, përfundoi intervistën Elshani.

Jemi përforcuar fuqishëm dje edhe me dy lojtarë të tjerë të huaj të cilët janë super-cilësorë. E kemi larguar Matt Neufeldin dhe tashmë do ti mbajmë 5 të huaj në roster sipas nevojës. Kemi nevojë të kemi roster të zgjeruar për shkak se luajmë në tri kompeticione.
________________________________________________________________________

Skuadra e Pejës sivjet përveç garave vendore të Superligës e Kupës, do të marrë pjesë edhe në Ligën Ballkanike dhe Ligën Unike.

/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.