Basketboll

TREPÇA FITON DRAMËN NDAJ KAMPIONIT, STARTON EDICIONIN ME TRIUMF

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça e ka fituar përballjen e parë të stinorit të ri në Superligën e Kosovës.

Mitrovicasit kanë triumfuar në shtëpi ndja kampionit aktual, Golden Eagle Yllit me rezultat tejet të ngushtë dhe të përgjithshëm 72-69.

Ishte ky një derbi i vërtetë që në start me Yllin që fitoi çerekun e parë 16-18, derisa Trepça u rikthye në të dytin duke e fituar 22-19 dhe shkoi në pushim me avantazh minimal 38-37.

Në pjesën e dytë, Trepça kishte një shkëputje të ndjeshme në rezultat dhe e fitoi çerekun e tretë 23-15, derisa i fundit i takoi Yllit 11-17, por që nuk mjaftoi për fitore dhe në fund vendasit iu gëzuan fitores.

Tre basketbollistë arritën pikë dyshifrore në fitoren e Trepçës sonte, Drilon Hajrizi me 19 pikë e 8 kërcime, Samir Zekiqi me 15 pikë dhe Ty Cockfield me 10 sosh, derisa Gerald Blackshear me 9 pikë e Amin Hot dhe Andrew Gordon që shtuan nga 8 sosh.

Te Ylli s’mjaftuan assesi për fitore, Erjon Kastrati me 14 pikë, Brandon Randolph me 13, dhe Barret Benson e Justin Martin me nga 10 pikë.

Në xhiron e dytë, Trepça e pret Prizrenin 16 e Ylli luan në shtëpi ndaj Bashkimit.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.