YLLI FANTASTIK NË “MINATORI”, SHKËPUTET NË KRYE TË TABELËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Golden Eagle Ylli e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme stinorin pranveror në elitën kosovare.
Therandasit kanë triumfuar në duelin ndaj Trepçës i cili ishte cilësuar si derbi i xhiros por në realitet ndodhi ndryshe, sepse ‘xhebrailat’ fituan me rezultat të thellë 62-84.
Edhe pse ishte pritur një ndeshje e fortë, kjo nuk vërtetua ngase Ylli dominoi gjatë tërë kohës duke i fituar të gjitha periodat (13-19, 14-17, 15-23, 20-25) e duke mos e rrezikuar fitoren për asnjë çast dhe me meritë festoi në fund.
Mikaile Tmusiq ishte fantastik me 7 treshe e 25 pikë në total në këtë ndeshje për Yllin, derisa u ndihmua edhe nga Erjon Kastrati me 21 pikë, si dhe Henrik Shirko e Cameron Williams që shtuan nga 12 sosh.
Te Trepça pikë dyshifrore patën, Ty Cockfield (15), Andrew Gordon (13) dhe Samir Zekiqi (11), derisa dyshja e sapo transferuar, Ryan Wright e Corban Collins kishin nga 8 përkatësisht 3 pikë, duke dëshpëruar me paraqitjet e tyre, por duke besuar se kjo ishte vetëm një natë e keqe e tyre dhe në duelet në vijim do të komponohen me ekipin.
Ylli tash ka 26 pikë dhe i prin renditjes tabelare i vetëm me 11 fitore e 4 humbje, ndërsa Trepça renditet e 2-ta me 25 pikë, 10 fitore e 5 humbje.
Në xhiron e ardhshme, Trepça e pret Prizrenin 16 e Golden Eagle Ylli e pret Bashkimin.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.