BASHKIMI SYNON T’UA “PRISH HESAPET” SKUADRAVE TË MËDHA
Prishtinë(AsistiOnline) – Në fillim të edicionit, pak kush e kishte pritur Bashkimin si skuadër të fortë, por me kalimin e kohës portkallinjët i demantuan zërat e tillë me ecuri pozitive.
Ndeshjet e mira dhe rezultatet pozitive, duket se kanë rritur dukshëm apetitet e skuadrës prizrenase që në pranverë e synon ”play off”-in dhe jo vetëm…
Në afatin kalimtar dimëror ekipi i Bashkimit është aktivizuar në momentet e fundit, duke transferuar basketbollistin vendor me përvojë, Alban Veseli, si dhe fundorin amerikan, Kendrick Thompson, si dhe pritet të vije një lojtar i huaj i pozitave 4/5.
Nga ekipi janë larguar dyshja e huaj, Avi Toomer e Immanuel King.
Por kush janë transferet e reja?
ALBAN VESELI – Veseli që në basketbollin e Kosovës nuk do fortë prezantim, edicionin vjeshtor u paraqit me rivalin lokal të Bashkimit, Prizrenin 16, por që në fund të kësaj pjese të sezonit rrugët mes tyre u ndanë. Albani me Prizrenin 16 u paraqit në 6 ndeshje me 10 pikë e 4.3 kërcime për ndeshje.
KENDRICK THOMPSON – Luan në pozitën 2 dhe është 191 cm i gjatë. Thompson në fillet e karrierës ka luajtur në kolegjin amerikan nga NCAA2 ”Northeastern State” me mesatare prej 16 pikëve për ndeshje, derisa në dy edicionet e fundit(2020/22) u paraqit në Gjeorgji me skuadrën ”Olimpi”, ku sivjet në 3 ndeshje pati mesatare prej 10.7 pikëve, 5.7 asisteve e 3 kërcimeve për ndeshje.
Përpos këtyre dy transfereve, Bashkimi ka shtuar në roster edhe dyshen e re vendore, Edison Krasniqi e Ensar Muriqi.
Portokallinjët e hapin edicionin pranveror sonte në udhëtim te Peja, duel ky i cili fillon nga ora 19:00 dhe transmetohet direkt në Artmotion (ArtSport 1).
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.