Basketboll

VIDEO LAJM: FITORE ME 100+ PIKË, PRISHTINA E KONSOLIDUAR MIRË

Prishtinë(AsistiOnline) – Viti 2022 ka nisur me fat edhe për kampionen e shumëfishtë, Sigal Prishtinën që ka arritur një fitore të lehtë e të thellë ndaj Dritës me rezultat 117:64.

Kryeqytetasit e mposhtën Dritën ashtu siç ishte pritur lehtë, duke mos pasur fare rezistencë për faktin se gjilanasit sivjet janë ekipi i vetëm pothuajse i pa përforcuar në ligë.

Drita ishte vetëm njëherë në avantazh në këtë duel, me shënimin e Qëndrim Demit në 40 sekondat e para me një depërtim për dy pikë, ndërsa Prishtina me një seri prej 0-8 më nuk e lëshoi avantazhin nga dora tërë kohën dhe me meritë e fitoi duelin ashtu siç ishte pritur.

Me lojën dhe fitoren e Prishtinës, është shprehur i kënaqur edhe trajneri i tyre, Ante Nazor.

Ishte një ndeshje e mirë, kemi bërë një rotacion të mirë duke i inkuadruar të gjithë lojtarët në lojë dhe filozofi dhe është një fitore me rëndësi para derbit me Pejën. I uroj lojtarët e mi, por edhe ata të Dritës”, tha kroati pas ndeshjes.

I gjithë rosteri i lojtarëve te Prishtina u inkuadrua në lojë, derisa 7 prej tyre arritën pikë dyshifrore: Dachon Burke kishte 18 pikë, Wendell Mitchell 17 pikë e 8 kërcime, Lejson Zeqiri kontriboi me 14 pikë, vëllau i Lejsonit, Jetmiri pati 13 pikë, transferi i ri Kenny Brown dhe Meriton Ismaili shtuan nga 12 pikë e i riu Don Polloshka me 11 pikë të realizuara e mbylli 7shen e lojtarëve me pikë dyshifrore.

Te Drita lojë të mirë treguan, kapiteni Qëndrim Demi me 23 pikë dhe amerikani Isaiah Johnson që shtoi 22 sosh.

Kjo fitore e ngriti Sigal Prishtinën në vendin e 4-të me 23 pikë, 8 fitore e 7 humbje. Derisa, Drita mbetet e fundit me 15 humbje nga po aq ndeshje sivjet.

Në vikend, Prishtina e pret Pejën e Drita i shkon Rahovecit.

/AsistiOnline.com/

HIGHLIGHTS nga ndeshja:

Komentet janë të mbyllura.