PËRZGJEDHET TRAJNERI MË I MIRË I STINORIT NË ABA LIGË
Prishtinë(AsistiOnline) – Në votimin tradicional nga kryetrajnerët e Ligës më prestigjioze të basketbollit nga Ballkani e njohur si ABA Liga, ekipet, trajnerët, gazetarët dhe tifozët e basketbollit e kanë përzgjedhur, trajnerin e Partizanit, Zheljko Obradoviqin si trajnerin më të mirë të sezonit 2021/22 të garës.
Obradoviq i cili e mori përsipër skuadrën nga Beogradit para fillimit të sezonit 2021/22, është zgjedhur trajneri më i mirë i këtij sezoni në votimin tradicional të ABA Ligës ku marrin pjesë trajnerët, ekipet, gazetarët dhe tifozët e basketbollit, shkruan sajti zyrtar i ABA Ligës dhe transmeton AsistiOnline.com
Trajneri me përvojë ka zënë bindshëm vendin e parë në votim, duke fituar në total 41.5% të votave. Obradoviq ndjeket nga kryetrajneri i Crvena Zvezdës, Dejan Radonjiq, i cili ka zënë vendin e dytë, me gjithsej 19.5% të votave, ndërsa Nenad Stefanović i FMP-së ka marrë 11.9% të votave.
Vlen të theksohet se Obradoviq ka zënë vendin e parë nga të tri kategoritë e votuesve – kryetrajnerët, gazetarët dhe tifozët.
Tekniku i famshëm serb, ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm në pankinën e Partizanit, pasi ka udhëhequr skuadrën nga Beogradi në gjysmëfinalen e ABA Ligës direkt nga sezoni i rregullt, duke zënë vendin e dytë pas 26 xhirove. Partizani e ka mbyllur sezonin me bilanc 22-4.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.